Bota Ben Ali, ish-presidenti miliarder i Tunizisë që ndaloi praktikimin e Islamit e...

Ben Ali, ish-presidenti miliarder i Tunizisë që ndaloi praktikimin e Islamit e u stehua në Arabinë Saudite

Zine al-Abidine Ben Ali, ish-presidenti autokratik i Tunizisë i cili u arratis në Arabinë Saudite në vitin 2011 pas një kryengritjeje popullore, ka vdekur në moshën 83-vjeçare. Revolucioni që çoi në rrëzimin e tij frymëzoi kryengritjet në vendet fqinje që erdhën nën etiketën “Pranvera Arabe”.

Ben Ali u bë president në nëntor të vitit 1987 pasi Habib Bourguiba, themeluesi i Tunizisë moderne dhe presidenti i parë, u vlerësua se ishte  i papërshtatshëm” për të sunduar. Bourguiba e kishte emëruar Ben Ali si kryeministër, e ky i fundit nisi një grusht shteti popullor kundër tij, pa gjakderdhje por me ndryshim.

Udhëheqësi i ri i vendit më të vogël të Afrikës së Veriut, i vendosur midis Algjerisë dhe Libisë, dhe me një popullsi prej më shumë se 11 milion njerëzish, ishte me pikëpamje pro-perëndimore. Ai zhvilloi lidhje me Bashkimin Evropian, partneri kryesor tregtar i Tunizisë. Investimet e huaja, prodhimi dhe turizmi u rritën, por papunësia mbeti e lartë. Me gjithë pamjen relativisht liberale, politikat sociale dhe ekonomike të Ben Ali, si dhe përparimi drejt demokracisë pluraliste i ishte i ngadaltë, e nga ana tjetër, abuzimet e të drejtave të njeriut vlonin, veçanërisht ndaj aktivistëve fetarë myslimanë.

Ben Ali ishte kritik ndaj udhëheqësit të Libisë Muammar Gaddafi. Në vitin 1986, Libia kishte dëbuar 30,000 punëtorë tunizianë, dhe vitin pasues, Ben Ali, si ministër i Brendshëm, besohej se ishte pas vetos që pengoi që Libia të bashkohej me traktatin e miqësisë së Tunizisë me Algjerinë dhe Mauritaninë.

Ai lindi në një familje modeste në Hammam Sousse, një qytet bregdetar në veri-lindje të vendit, në kohën kur Tunizia ishte akoma protektorat francez. Në shkollën e mesme, ai u bashkua me rezistencën anti-franceze, duke punuar për partinë rajonale Neo-Destur. Kjo i shkaktoi burgosje dhe dëbim, por jo për shumë gjatë.

Ai më pas u transferua në Francë, ku u diplomua në akademinë ushtarake të Parisit, më pas në shkollën e artilerisë në Châlons-sur-Marne, përpara se të vazhdonte arsimin e tij ushtarak në SHBA. Pas kthimit të tij në Tunizi, ai u bashkua me inteligjencën e vendit. Ben Ali shërbeu si atashe ushtarak i Tunizisë në Marok për tre vjet nga 1974, dhe më pas u emërua gjeneral i plotë, grada më e lartë në ushtri.

Në vitin 1980 shkoi në Poloni si ambasador dhe në 1984 u emërua ministër për Sigurinë Kombëtare. Atë vit, Ali u kritikua për shtypjen e pakënaqësive që erdhën si pasojë e rritjes së çmimeve. Shumë njerëz u vranë, e megjithatë përgjegjësi nuk u mor. Në vitin 1986 ai u bë ministër i Brendshëm.

Si president, Ben Ali premtoi një lëvizje graduale drejt demokracisë dhe filloi të fus vendin në një epokë të re të të drejtave të njeriut dhe parimeve demokratike. Tunizianët mirëpritën ndryshimin, dhe reformat ligjore të viteve 1987-89 përfshinin lirimin e të burgosurve politikë dhe përfundimin e kufizimeve për partitë politike.

Ekonomia po rritej me rreth 5% në vit dhe u futën reformat mbi shëndetin dhe arsimin. Ben Ali nisi të njoh të drejtat e grave, një proces që i priu gruaja e tij e dytë, Leila Trabelsi, me të cilën u martua në 1992.

Deri në vitet 1990, ai u kujdes që opozita të mos e ngrinte zërin, e në veçanti lideri i partisë fetare “Enhada”, Rashid Ganushi.

Partia “Enhada”, e cila u ndalua në vitin 1989, humbi të drejtat politike, pasi Ali kishte përdorur mediat për propagandë dhe kishte goditur aktivistët për të drejtat e njeriut. Kundërshtarët përfunduan në burg.

Në zgjedhjet e para shumëpalëshe presidenciale, në 1999, Ben Ali fitoi një shumicë zyrtare prej 99,44% të votave. Në maj 2002 ai mbajti një referendum për të ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që të mund të shërbejë për një mandat të katërt. Ai u rizgjodh në tetor 2004, duke marrë zyrtarisht 94,48% të votave dhe partia e tij fitoi 152 vende në parlamentin me 189 vende.

Në nëntor 2009 ai u zgjodh në një mandat të pestë pesë-vjeçar, dhe kësaj here vota ra nën 90%. Ai kritikoi pretendimet se zgjedhjet ishin mashtruese, e megjithatë bindja e oponentëve ishte e qartë: “vota vinte nga njerëz të cilët kanë harruar detyrën e tyre morale të sjelljes së mirë dhe rezervave ndaj atyre që përpiqen të dëmtojnë atdheun”.

Trazirat morën vrull në dhjetor të 2010, pasi policia konfiskoi karrocën e Muhamed Bouazizi e cili po shiste fruta dhe perime pa leje.

Shitësi, një i papunë me diplomë, i futi vetes benzinën dhe vdiq. Kjo ndodhi në kontekstin e rritjes së çmimeve dhe një rënie të rëndë ekonomike. Por ngjarja pati pasojë demonstratat pasuese ku u eliminuan rreth 300 njerëz.

Ndërsa po iu afrohej rënies, Ben Ali u hutua. Më 28 Dhjetor 2010 ai i quajti protestuesit “ekstremistë dhe mercenarë” dhe paralajmëroi dënim të fortë, por më pas u përpoq t’i qetësonte ata duke riorganizuar kabinetin e tij dhe duke premtuar se do të krijonte 300,000 vende pune. Vetëm disa ditë para se të largohej nga Tunizia, ai tha se nuk do të ndryshojë kushtetutën, gjë që jepte të kuptohej se planifikonte të mbetej president deri në vitin 2014. Pastaj, më 26 janar, ai u arratis, së pari në Maltë nën mbrojtjen e Libisë dhe më pas në Xhide të Arabisë Saudite.

Ishte ironike se si një njeri që kishte luftuar shaminë e grave myslimane kërkonte azil në një vend ku dënoheshin gratë që nuk mbanin shami.

Ben Ali mbeti pa asnjë mik. Franca ia ndaloi të zbriste në tokën franceze. Një pilot i Air Tunis i cili refuzoi të fluturonte nga Tunisi me pesë anëtarë të tjerë të familjes së Ben Ali, u shndërrua në hero kombëtar. Ben Ali u zëvendësua nga Fouad Mebezaa si kryesues i detyrës, dhe ai e zgjodhi ish-presidentin e pensionuar Beji Caid Essebsi për të shërbyer si kryeministër deri në zgjedhjet në fund të vitit.

Qeveria zvicerane u zotua të ngrijë pasuritë që i përkisnin Ben Ali dhe familjes së tij. Revista Forbes ka vlerësuar pasurinë e tij në rreth 5 miliardë dollarë në vitin 2008. Pasi ai u arratis, ai u dënua në mungesë për akuza të ndryshme të vjedhjes dhe nxitjes për dhunë dhe eliminime.

Për vitet në vijim e deri dje, Ben Ali mbeti në Arabinë Saudite, por rehati nuk gjeti asnjëherë. Ai u sëmur nga kanceri i prostatës, që ishte edhe shkak i vdekjes së tij. La pas gruan, dy vajzat dhe djalin, dhe tre vajza nga martesa e tij e parë.