Aktualitet Bënte namin me kartat e vjedhura të kreditit në SHBA, fieraku arrestohet...

Bënte namin me kartat e vjedhura të kreditit në SHBA, fieraku arrestohet në Tiranë

Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, në fushën e krimeve kibernetike, është arrestuar ditën e sotme.

Aldo Ymeraj nga Fieri, i cilësuar si pjesëtar i organizatës kriminale në fushën e krimeve kibernetike “Infraud”, është ndaluar në Tiranë në kuadër të operacionit ndërkombëtar të iniciuar nga SHBA, në bashkëpunim me disa shtete, ndërmjet tyre edhe Shqipëria.

“Gjatë një operacioni të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë, nga Sektori Kundër Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me DVP Fier dhe Prokurorinë e Përgjithshme u kap dhe u arrestua shtetasi: Aldo Ymeraj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Fier.

Ndaj shtetasit Aldo Ymeraj ka një urdhër arresti nga SHBA, për vepra të ndryshme penale në fushën e krimit kibernetik, pjesëtar i një organizate kriminale që shiste të dhëna të vjedhura kartash krediti në thellësi të internetit, duke u shkaktuar konsumatorëve një humbje prej 530 milionë dollarësh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga 36 personat ndaj të cilëve u ngrit padi nën akuzën për krimin kibernetik, 13 prej tyre janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, Australi, Britani, Francë, Itali, Kosovë dhe Serbi.

Grupi i quajtur “Infraud” ishte krijuar në vitin 2010 nga Svyatoslav Bondarenko, një 34-vjeçar ukrainas dhe përdorte një forum në internet për të blerë dhe shitur karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.