Pas mbylljes në mënyrë paqësore të protestës, edhe pse e njollosur nga episodi i rëndë i grushtimit nga ana e një personi ndaj tij, lideri i PD-se Sali Berisha me në fytyrë ende shenjat e sulmit u kthye me pjesë të mbështetësve në selinë e PD.
“Mirënjohje të madhe, një regjim i shëmtuar bëri gjithçka qe protesta e jone mos te zhvillohej, kaloj në një akt ku dëshmoi karakterin prej krimineli Edi Rama”, deklaroi Berisha i cili iu referua edhe sulmit fizik ndaj tij.
“Zgjodhi një person që mund të kryejë çdo gjë, dhe e bëri si masë të fundit kur pa se ju vërshuat nga të katër anët e Shqipërisë, në një protestë që do të shënohet me germa të arta në historinë e protestave”.
Ish-kryeministri demokrat e cilësoi protestën e sotme si “kryeprotesta e jetës, ne faktuam se nuk ka forcë në botë që ne të na mposhtë, për të realizuar qëllimet tona, në çdo rast ne mbetemi të pamposhtur. Të frymëzuar nga ky akt vazhdojmë betejën tonë kundër armikut më të egër pas Enver Hoxhës, që shqiptarët kanë pasur në histori, atë që ka bërë Rama nuk e bën asnjë udhëheqës në botë, as pushtuesit. Ne jemi misionarë të çlirimit të shqiptarëve”.