Politika Berisha: Sot janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të hetuar nga policia....

Berisha: Sot janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të hetuar nga policia. Shteti, në duart e krimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi këtë të hënë se sot nga sistemi MEMEX janë publikuar 105 mijë emrash shqiptarët të hetuar nga policia për krime të llojeve të ndryshme. Sipas Berishës, emrat janë ekspozuar në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë personat që janë në vëzhgim për veprimtari kriminale. Kryedemokrati theksoi se në këtë moment Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë.

“Sot nga sistemi MEMEX i cili përbën kartotekën e punës 30-vjeçare të policisë së shtetit janë publikuar 105 mijë emra shqiptarësh të dyshuar, të hetuar, nga policia për krime të llojeve nga më të ndryshme. Nga sistemi, janë ekspozuar emrat në mënyrë që të paralajmërohen të gjithë ata të cilët janë në vëzhgim, janë në hetim, janë në shqyrtim për aktivitete të ndryshme kriminale. Është ky një moment jashtëzakonisht i rrezikshëm për vendin, është ky një moment që dëshmon se çdo gjë në këtë shtet të mafias ndodhet në duart e krimit. Është ky një moment në të cilin Shqipëria bëhet vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe Europë pasi paralajmëron kontigjentët e delikuentëve të saj se janë në mbikëqyrje policore dhe se ata për të shpëtuar duhet të largohen”, u shpreh Berisha.

Kryetari i PD tha se deri më sot nuk është marrë asnjë masë e vetme për mbrojtjen e sistemeve.

“Të gjitha të tjerat janë mashtrime. Sistemet janë në mëshirën e atyre që po i sulmojnë dhe shkatërrojnë”, nënvizoi ai.

Më tej Berisha dënoi atë që e konsideron si veprimtari kriminale shtetërore.

“Kjo përbën shkallën më ekstreme të dekonspirimit dhe të dorëzimit të këtij shteti mafioz, tërësisht në duart e krimit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë veprimtari kriminale shtetërore”, u shpreh Berisha.