Politika Beteja aktuale me qeverinë, Basha zhvendoset 72 vjet më parë: Si u...

Beteja aktuale me qeverinë, Basha zhvendoset 72 vjet më parë: Si u pushkatuan 5 deputetët

Në vazhdën e revokimit të ngjarjeve të së kaluarës nën komunizëm për t’i vënë në funksion të aktualitetit politik, kreu demokrat Basha ka kujtuar një zhvillim të 72 viteve më parë, kur u pushkatuan 5 deputetë.

“72 vite më parë, më 10 tetor 1947, në një akt të pashembullt të eliminimit të elitës së kombit shqiptar, për interesa pushteti diktatura komuniste pushkatoi 16 veta, 5 prej të cilëve deputetë, në një gjyq të montuar që ka hyrë në histori si gjyqi i parë i dënimit të deputetëve. Me vendim të vetë diktatorit dhe me frymëzim bolshevik, në Shqipëri po grisej edhe formalisht veli i opozitës politike dhe përfaqësues nga të gjitha krahinat e vendit, intelektualë me formim perëndimor, klerikë të njohur e të angazhuar aktivisht në luftë kundër pushtuesve të huaj, si dhe tribunë të lëvizjes për rreshtimin e Shqipërisë në krah të demokracive perëndimore, u dënuan me pushkatim dhe vendimi u ekzekutua me urgjencë brenda dy javësh, nëpërmjet një vrasjeje mizore masive në Malin me Gropa”, shkruan Basha, pa dhënë detaje të shumta për ngjarjen, pasi e lidh atë direkt me të sotmen politike, ku shënjestër ka qeverinë.

“72 vjet më vonë, ndjehemi krenarë për deklaratat që ata deputetë, tribunë të vërtetë të mendimit shqiptar, dhanë në gjyqin e montuar. Ata u shprehën troç se nuk e donin regjimin që ishte ngritur në Shqipëri e se ata ishin organizuar e po përpiqeshin për një Shqipëri si Europa, një Shqipëri me demokraci perëndimore.

Përkundër dhunës çnjerëzore, ata i dolën zot orientimit perëndimor të shqiptarëve dhe i deklaruan botës se komunizmi nuk ishte një zgjedhje e lirë e popullit shqiptar, por, një regjim që u instalua dhe iu imponua popullit me dhunë e me gjak dhe që u mbajt me dhunë dhe me gjak.

72 vjet më vonë, në Shqipëri kemi një parlament monist, ku çdo ditë mendohet si të prodhohen ligje për të vjedhur e plaçkitur shqiptarët dhe pasuritë e tyre, për të ndaluar opozitën politike e median kritike”, shkruan ndër të tjera Basha.