Kryesore Biseda që i garantoi Enver Hoxhës pushtet të përjetshëm (Dokumenti)

Biseda që i garantoi Enver Hoxhës pushtet të përjetshëm (Dokumenti)

Më 23 mars të vitit 1949, Enver Hoxha u takua në Moskë me Josif Stalinin. Shqiptarët në këtë kohë, falë Stalinit, sapo ishin ndarë me Jugosllavinë e Titos, që për pak sa nuk e kishte pushtuar Shqipërinë. Por ky ishte një problem duke shkuar.

Problemi i ri, edhe më i madh, për Enver Hoxhën, ishte Greqia fqinje, e përfshirë në luftë civile. Forcat qeveritare greke, të mbështetura nga amerikanët dhe britanikët, luftonin kundër gueriljeve komuniste, që mbështeteshin me armë e logjistikë nga vendet komuniste.

Në të njëjtën kohë, në kufijtë e Shqipërisë me Greqinë, ishin shënuar incidentet e para të armatosura. Ushtria e rregullt shqiptare ishte përballur, të paktën në dy raste, me ushtrinë e rregullt të forcave qeveritare greke, të cilat kishin guxuar të ndiqnin gueriljet komuniste edhe në brendësi të territorit shqiptar.

I shqetësuar nga situata e krijuar, Enver Hoxha e pyet Stalinin tekstualisht:

“A e kërcënon Shqipërinë rreziku i pashmangshëm nga Greqia, duke pasur parasysh provokimet e vazhdueshme të trupave monarko–fashiste dhe të gjitha llojet e bisedave për ndarjen e Shqipërisë?”

Stalini në këtë moment e siguron Enver Hoxhën se askush nuk e prek Shqipërinë, duke i shpjeguar, mbase për herë të parë shqiptarit, pozicionin e Shqipërisë të fiksuar nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Bashkimi Sovjetik.

Për më tepër, Stalini bën një analizë të hollësishme të situatës politike, duke argumentuar se pavarësia e Shqipërisë garantohet nga një sërë faktorësh, që janë që të gjithë në një linjë.

Nuk është çudi që argumentimi i Stalinit, për prezencën e një sëre faktorësh, rajonalë dhe botërorë, që sigurojnë balancën për Shqipërinë, të shpjegojë edhe “dështimin” e operacioneve anglo–amerikane për rrëzimin e Enver Hoxhës, në vitet 1949-1952, edhe largimin e sovjetikëve nga Baza ushtarako-detare e Vlorës, në vitin 1961, pa guxuar të shkaktojnë ndonjë incident, si dhe, faktin tjetër, se, deri në vitin 1990, Shqipëria u konsiderua, nga të gjithë palët, si një vend i paprekshëm.

Pra, thënë me fjalë të tjera, pavarësia e Shqipërisë, jo vetëm që ishte aprovuar dhe pranuar nga fuqitë fituese të Luftës së Dytë, por edhe në vazhdim, interesat e këtyre Fuqive të Mëdha, sërish e garantonin, madje për një kohë të gjatë, këtë pavarësi.

Kjo përgjigje e Stalinit përmbyll edhe bisedën prej dy orësh dhe 10 minutash me Enver Hoxhën. Në bisedë merrnin pjesë, nga pala sovjetike, Andrei Vishinski, ministri i Jashtëm sovjetik, i sapoemëruar, i dërguari sovjetik në Tiranë, Dimitri Çuvahin dhe një përkthyes, ndërsa nga pala shqiptare edhe Spiro Koleka, në këtë kohë Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit si dhe ambasadori shqiptar në Moskë, Mihal Prifti.

Përkthimi i plotë i përgjigjes së Stalinit:

Nr. 16

Regjistrimi i bisedës së I.V. Stalinit me E .Hoxhën rreth marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe për politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë

Qyteti: Moskë

23 mars 1949

Ora 22:00

SEKRET

…Shoku Stalin thekson se të gjitha fjalët për ndarjen e Shqipërisë ishin shpikur për të trembur shqiptarët. Siç e dini, pavarësia e Shqipërisë është e siguruar nga deklarata e tre fuqive – Amerikës, Anglisë dhe BRSS (Bashkimit Sovjetik). Natyrisht, deklarata mund ta shkelin, por kjo nuk është aq e lehtë. Sa për grekët e Tsaldaris, ata mezi qëndrojnë në këmbë dhe nuk kanë këllqe që të mund të flasin seriozisht për ndarjen e Shqipërisë.

Nëse shqiptarët do të sillen drejt, pa i sharë shumë imperialistët, pa i ngacmuar dhe duke u sjellë me tepër modesti, atëherë Shqipërinë askush nuk do ta prekë.

Amerika dhe Anglia nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e Italisë, përderisa kjo e forcon Italinë; ata nuk duan që ajo të jetë pjesë e Greqisë, përderisa kjo e forcon Greqinë; nuk duan që Shqipëria të jetë pjesë e Jugosllavisë.

Për më tepër, Amerika nuk dëshiron që Shqipëria t’i përkasë Anglisë. Për shkak të kësaj, ata këmbëngulin për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë…

Burimi: Abc News