Sport “Boll me mercenarë!” Tifozët e PSG-së sulmojnë Messin, Verratin dhe Neymarin

“Boll me mercenarë!” Tifozët e PSG-së sulmojnë Messin, Verratin dhe Neymarin

Janë shtuar masat e sigurisë sot para qendrës stërvitore të PSG-së dhe pranë shtëpive të disa lojtarëve të saj, si Neymar, Messi dhe Verrati. Një grup tifozësh të tërbuar ka reaguar fuqishëm ndaj klubit dhe lojtarëve për rezultatet e fundit, si dhe për çështjen ‘Messi’.

Tifozët kanë kontestuar situatën e fundit pranë selisë së klubit. “Mjaft me mercenarë! Të largohen Messi dhe drejtuesit”, ishte mesazhi e tifozëve parisienë, rreth 100 ultras të veshur me të zeza. Me tymuese dhe parulla ata kanë sulmuar kampionin e botës me “hijo de puta” (bir ku…).

Në shënjestrën e tifozëve ishte Messi i pari, por edhe Verrati. “Të rritëm, por nëse je burrë, tani largohu”, – ishte kori drejtuar mesfushorit italian. Janë kontestuar po ashtu Neymar, trajneri Kristof Galtier dhe presidenti Al Khelaifi, i akuzuar si një drejtues i munguar.

Një grup tifozësh u shkëputën nga turma për të shkuar te rezidenca e Neymarit. Ata kanë bërë me dije se do të protestojnë çdo natë. Braziliani ka reaguar me një postim, duke dhënë mesazhin “mos i lejoni njerëzit t’ju tërheqin në stuhinë e tyre, merrini në paqen tuaj”.