Aktualitet Bonusi i bebeve, Rama: Ndihet efekti, u rrit numri i lindjeve

Bonusi i bebeve, Rama: Ndihet efekti, u rrit numri i lindjeve

“Kemi rritje lindjesh falë bonusit të bebeve dhe kam besim që ky efekt do të vijë duke u përmirësuar falë kësaj politike. Mendoj se po jep shenjat e veta të para”.

Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp, ku bëri një bilanc të gjatë të ekonomisë, rendit, shëndetësisë dhe arsimit.

Numri i lindjeve në Shqipëri ka qenë në rënie të ndjeshme nga viti në vit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2013 deri në fund të vitit 2017, në vendin tonë pati gati 5 mijë lindje më pak.

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimi me gazetarët të martën, foli fillimisht për situatën ekonomike në vend.

Sipas kreut të qeverisë, “ekonomia, edhe pse në një situatë krejt jonormale, që do të thotë të pafavorshme dhe frenuese për investitorët, u rrit krahasuar me një vit më parë me 2,21%”.

“Ndërkohë që efekti i thatësirës së madhe është i ndjeshëm duke patur parasysh se vitin e shkuar patëm një vit me reshje, që do të thotë edhe me një mundësi të shtuar për rritjen ekonomike si rezultat i prodhimit të lartë të energjisë”, tha Rama.

“Përtej këtij fakti mbetet prioritare të fokusohemi tërësisht te investimet, ato publike e private, vendase e të huaja. Tek të ardhurat që, siç mund ta dini, kanë patur një periudhë problematike për pasojë të frymës së antishtetit që u injektua në mënyrë të vazhdueshme e në forma shumë agresive, gjë që ka ndikuar edhe në rritjen e informalitetit, i cili është e do të mbetet në fokus përditë deri në fund të mandatit. Punësimi ka shënuar përparim që në raport me trendin historik vjen me ulje të re nga 6-mujori i vitit të shkuar. Një fakt vlen të nënvizohet: zyrat e punës vetëm këtë 6-mujor kanë kryer 16 mijë punësime, por informaliteti në punë ka shënuar rritje. Pra, mosregjistrimi i punonjësve, që është integruar në operacionin antiinformalitet që do të vijojë çdo ditë deri në fund të mandatit. Këtu ritheksoj se është një kosto e madhe ajo që vjen si pasojë e shkeljes së ligjit në rastet kur konstatohet, pasi dëmi që i vjen një biznesi të paregjistruar apo në aktivitet informal është shumë herë më i madh sesa fitimi përmes informalitetit”, u shpreh Rama.