Bota Boris Johnson u bën thirrje prindërve t’i kthejnë fëmijët e tyre në...

Boris Johnson u bën thirrje prindërve t’i kthejnë fëmijët e tyre në shkolla

Kryeministri britanik u ka kërkuar prindërve ta lënë mënjanë frikën dhe t’i lejojnë fëmijët e tyre të kthehen në shkollë muajin e ardhshëm, kur shkollat në Angli, Uells dhe Irlandën Veriore do të hapen për herë të parë që prej mbylljes për më shumë se pesë muaj nga pandemia e koronavirusit.

Kryeministri Boris Johnson tha se është “detyrë morale” e qeverisë të rihapë shkollat dhe theksoi se autoritetet tani kanë më shumë informacione mbi COVID-19 në krahasim me muajt e parë të izolimit.

Komentet e Johnson erdhën pas deklaratës së autoriteteve të larta të shëndetësisë në Britani, ku thuhej se fëmijët kishte gjasa të dëmtoheshin më shumë duke mos shkuar në shkollë se sa ekspozimi ndaj COVID-19.

“Fëmijët tanë duhet të kthehen në shkollë. Të mësojnë dhe të kalojnë kohë me miqtë e tyre”, u shpreh kryeministri britanik.

Prindërit dhe mësuesit janë shprehur të shqetësuar për rihapjen e shkollave duke thënë se masat e distancës shoqërore nuk janë të mjaftueshme për të qenë të sigurtë.

Shkollat në Mbretërinë e Bashkuar u mbyllën në mars për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Disa studentë në Angli u lejuan të ktheheshin në shkollë në fillim të qershorit, por frekuentimi nuk ishte i detyrueshëm dhe vetëm 18 për qind e studentëve shkuan në shkollë.

Në Skoci, të gjithë studentët u rikthyen në bankat e mësimit javën e kaluar. Qeveria ka ndërmarrë masa për sigurinë e tyre, megjithatë rregullat e distancimit shoqëror nuk janë të detyrueshme në pjesën më të madhe të shkollave.