Politika Braçe për deklaratën e Kryemadhit: Nuk është turp të infektohesh, është krim...

Braçe për deklaratën e Kryemadhit: Nuk është turp të infektohesh, është krim të infektosh me dashje

Zv/Kryeministri Erion Braçe ka reaguar sot pas deklaratës së mbrëmshme të Kryetares së LSI, Monika Kryemadhi gjatë një interviste televizive ku tha se e ka kaluar COVID-19.

“E vërteta vonon, por nuk zhduket! Natyrisht, zonja të jetë mirë me shëndet. COVID nuk është heqje bajamesh, as heqje dhëmballe! Nuk është turp të infektohesh, është krim të infektosh me dashje patjetër, por edhe nga pakujdesia! E thotë ligji dhe ligji duhet të zbatohet i njëjtë për të gjithë!”, tha Braçe

“Ti thuash njerëzve se, “COVID nuk ekziston” si nisje e një vargu marrëzish të tjera; T’i ftosh njerëzit nëpër takime e t’i grumbullosh, t’i mbash aty, ashtu, pa maskë e distancë, pa e ditur-rasti lehtësues, nëse je apo ka ndër ta të infektuar; Të përballesh me njerëzit që janë me maskë, ta bësh politikë mbajtjen e saj, t’i sfidosh edhe pse mbrojnë veten e të tjerët, qoftë edhe ty, t’u kërkosh ta heqin maskën në ambient të hapur kur ligji e rregulli është ndryshe. Është krim! Po po, është krim”, shprehet Braçe.

Ai shtoi se, “ndryshimet në Kodin Penal, miratuar në 16. 4. 2020, dekretuar nga shkëlqesia e tij presidenti Ilir Meta me dekretin 11463, datë 22. 4. 2020, e thonë qartë: Përhapja e sëmundjeve infektive. Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.

“Pohimi i djeshëm nuk ishte i ri; Por ishte më i rëndi ama. Në kuptim të ligjit penal dhe akteve të kryera në gjithë këta muaj, në gjithë këto javë të rënda për çdo shqiptar! Nuk mund të kaloj si një gjë e zakonshme, nuk duhet t’ia pranojmë kurrkujt si normalitet!”, theksoi Braçe.

“Është krim dhe i qartë; Aq i qartë sa izolimi i presidentit në Pallatin e Brigadave pa shpjegim, sa zënia e pistës së Liqenit për më shumë oksigjen, të gjitha veprime normale në dijeni të njeriut apo njerëzve të infektuar”, shton Braçe.

Por, vijoi ai, “nëse për vete mbrohesh e mbron, po për njerëzit e zakonshëm që i fton e grumbullon, pa asnjë masë mbrojtëse, pse e mohon, pse i mashtron, pse i vë në rrezik ata vetë e familjet e tyre?! Nuk është politikë kjo, ky është krim”.

“Është shumë më tepër se ajo ditëlindja VIP, fund e krye e ndaluar nga ligji. Është më tepër sepse kanë qenë takime edhe më të mëdha e disa të tilla, kudo lart e poshtë, pa i matur kujt temperaturën ke dera, as prej vërteti e as si rrenë”, përfundon Braçe reagimin e tij.

Monika Kryemadhi zbuloi mbrëmë në një intervistë televizive se e ka kaluar COVID-19, por nuk pa pasur asnjë simptomë. Ajo tha se këtë e ka zbuluar kur ka kryer operacionin e bajameve.

“Po zbuloj diçka për herë të parë. Unë e kam kaluar Covid pa asnjë simptomë. Pa temperaturë, dhimbje të tjera me radhë. E mora vesh kur do operohesha nga bajamet dhe mjekët italianë më thanë që e ke kaluar Covidin”, tha ajo.