Ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Gent Cakaj, u ka bërë thirrje 350 personave me pasaporta diplomatike në shpërputhje me ligjin, të bëjnë dorëzimin e saj.
“Shqipëria ka pothuajse dyfishin e pasaportave diplomatike krahasuar me vendet evropiane. Sot në Shqipëri ka më shumë se 350 persona, në shpërputhje me ligjin dhe që dalin e hyjnë në kufijtë ndërkombëtarë me status të veçantë”, tha Cakaj, në një konferencë për shtyp nga Ministria e Jashtme.
“Deputetë matanë legjislaturave të fundit, gjykatës që nuk e kanë kaluar vetingun e deri tek shoqërues të personaliteteve të njohura në Shqipëri, sot gëzojnë status të posatshëm diplomatik. I ftoj publikisht të gjithë, të bëjnë menjëherë dorëzimin e pasaportave diplomatike, sepse pasaporta e tyre diplomatike do të bllokohet menjëherë dhe do të shpallet e pavlefshme.”
Pesha e pasaportës diplomatike të Shqipërisë do të restaurohet medoemos, tha Cakaj, duke shtuar se edhe pesha e pasaportës normale të Shqipërisë do të shtohet duke rritur numrin e shteteve në të cilat do të mund të udhëtohet pa viza.