Ekonomi Bizneset dhe konsumatorët “heqin dorë” nga huamarrja

Bizneset dhe konsumatorët “heqin dorë” nga huamarrja

Kredia për ekonominë rezultoi në rënie për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit portofoli total i kredisë zbriti në vlerën e 543.5 miliardë lekëve, me një rënie të mëtejshme prej afro 1 miliard lekësh krahasuar me majin. Vlera e kredisë është 1.6% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Prej disa muajsh, Banka e Shqipërisë po shprehet optimiste për ritmet e kreditimit dhe në fakt, vlera e raportuar e kredive të reja këtë vit është më e lartë. Vetëm për qershorin, kredia e re ishte 26 miliardë lekë, pesë miliardë lekë më shumë krahasuar me qershorin e vitit të kaluar.

Raporti
Huaja për ekonominë, që është një tregues i financimeve që marrin bizneset për të investuar ose qarkulluar kapitalin dhe individët për të blerë pasuri të paluajtshme apo produkte konsumi ka shënuar një rënie të fortë në muajin qershor. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huas për ekonominë zbriti në 543.5 miliardë lekë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga janari i vitit 2016. Vetëm në qershor, stoku i huas u reduktua me 955 milionë lekë në raport me muajin e mëparshëm, pasi ishte reduktuar ndjeshëm edhe në janar dhe prill. Në krahasim me dhjetorin 2016, stoku i huas për ekonominë ka rënë me 0.7%. Me bazë vjetore (qershor 2017/qershor 2016), kredia e dhënë për ekonominë është reduktuar me 1.6%. Me bazë vjetore, e gjithë rënia është ndikuar nga tkurrja e stokut të huas, dhënë korporatave jofinanciare në valutë, pra kryesisht huaja e dhënë në euro për bizneset, stoku i të cilës ka rënë me 26 miliardë lekë në raport me qershorin 2016, nga 8.9 miliardë lekë që ka rënë stoku në total i huas për të njëjtën periudhë.

Fshirja e kredive
Sistemi bankar është përfshirë në një proces të fshirjes së kredive që janë më shumë se tre vjet vonesë, që janë reduktuar kryesisht në valutë. Kjo fshirje u reflektua edhe në uljen e treguesit të kredisë me probleme, që zbriti në 15.86% në muajin maj, larg nga niveli rekord i afër 25%, që arriti në mesin e vitit 2014.
Individët
Rritjen më të lartë në vlerë absolute vitin e fundit e ka shënuar kredia për individë, me rreth 8.8 miliardë lekë më shumë, apo zgjerim 8.7%, në raport me qershorin 2016. Kredia për bizneset në lekë ka shënuar një rritje më të moderuar me 6.4%. Banka e Shqipërisë njoftoi në vrojtimin e fundit se bankat vijuan të mbanin të shtrënguara standardet e kreditimit për bizneset, ndërsa i kanë liruar për individët. Këta të fundit kanë rezultuar kredimarrës më të mirë, teksa përqindja e kredive të tyre me probleme është gati tri herë më e ulët se e bizneseve.