Ekonomi Çelet edicioni i 10 i Panairit Work&Study, Jaka: Work&Study një pikë takimi...

Çelet edicioni i 10 i Panairit Work&Study, Jaka: Work&Study një pikë takimi e kërkesës me ofertën në tregun e punës

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, hapën sot më 30 prill 2019 edicionin e 10 të panairit Work&Study.

I hapur në ambientet e Muzeut Kombëtar, më shumë se 50 kompani shqiptare afrojnë mundësi punësimi dhe studimi duke sjellë ofertën më të mirë në treg. Janë 3500 vende vakante të kompanive, 15 Universitete, Shkolla të Larta dhe Shkolla të Formimit Profesional sjellin mundësi të mira për ata që duan të ndjekin studimet e mëtejshme. Gjatë tre ditëve të panairit janë të organizuara dhe ditët e këshillimit të karrierës ku të rinjtë kanë mundësi të zgjedhin të ardhmen e tyre.

Në nisje të këtij edicioni Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, zoti Nikolin Jaka shprehu vlerësimin e tij për të gjithë kompanitë dhe bashkëpunëtorët që i janë ngjitur iniciativës së Dhomës, duke e çuar këtë event vit pas viti në rritje, i cili tashmë ka mbërritur në edicionin e 10. Ai vlerësoi bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa deklaroi se ky panair synon të hapë rrugën e punësimit për të gjithë, dhe është një mundësi, një pikëtakim për të bërë të mundur komunikimin mes punëkërkuesve dhe punëdhënësve, posaçërisht në sektorin privat.

“Një gjë duhet të kemi të qartë, sado i madh që mund të jetë numri i shkollave të kualifikimit profesional, ofruesi kryesor i kualifikimit është sektori privat, janë ndërmarrjet ato që ofrojnë punë dhe kurse të veçanta kualifikimi nëpërmjet praktikave, intershipeve dhe trajnimit në punë”, u shpreh ndër të tjera Jaka duke shtuar se “politikat e tregut të punës duhet të fokusohen në fuqizimin e kapitalit njerëzor, si kushti kryesor për ndërtimin dhe fuqizimin e një ekonomie konkurruese”.

Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ErionVeliaj, ftoi të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të vizitojnë stendat e këtij panairi për të filluar një rrugëtim të ri në karrierën e tyre.   “Një  mënyrë më të mirë se sa të organizojmë një panair pune për të përkujtuar ditën e punës dhe rëndësinë e të pasurit një punë dinjitoze e të ndershme nuk ka.

Sot është një ditë kur 3500 vende pune ofrohen në secilën prej stendave për të gjithë ata që do të intervistohen. Pra nuk do të vijë puna tek dikush që sot është në kafe dhe duka sharë, punën duhet ta gjesh. Ftesa ime për çdo të ri që na ndjek është lëre kafen dhe hajde sepse këtu janë vendet e punës”, tha Veliaj.

Zv. Ministrja e Arsimit, Lorena Haxhiu në fjalën e saj vlerësoi këtë event, duke bërë një ftesë për të gjithë të rinjtë që të bëhen pjesë integrale e shoqërisë me mundësi të mëdha studimi dhe punësimi.

Panairi i Work&Study i kthyer në një traditë sjell në këto tre ditë mundësi të reja për të rinjtë e Tiranës dhe jo vetëm.