Bota Çfarë mendojnë të fuqishmit për Angela Merkelin?

Çfarë mendojnë të fuqishmit për Angela Merkelin?

Pas 16 vjetësh në pushtet ditët e Angela Merkelit si kancelare gjermane po i afrohen fundit. Në këto gjashtëmbëdhjetë vjet bota ka përballuar shumë kriza.

Kur u betua, në nëntor të vitit 2005, Merkel vështirë se mund ta ketë ditur se sa do t’i formësonin krizat dhe ngjarje të ndryshme veprimet e saj politike.

Tony Blair, kryeministër i Britanisë së Madhe, 1997 – 2007, thotë “ajo është një zgjidhëse problemesh. Është menaxhere e çdo situate”.

Kurse George W. Bush, president i SHBA 2001-2009, thotë “ajo është një njeri shumë i matur dhe i sjellshëm. Angela Merkel është një udhëheqëse, jo një pasuese”.

Merkel di të dëgjojë dhe është e vetëpërmbajtur

Gjithnjë e më tepër, Angela Merkel u përball me situata që kërkonin aftësi negociuese të nivelit të lartë. Për shembull: kriza financiare e vitit 2008. Pas problemeve me euron në Greqi, vend anëtar i BE-së, Merkel u detyrua të gjejë një kompromis midis interesave gjermane dhe europiane. Gjatë krizës në Ukrainë, Merkel dhe ish-presidenti francez, Francois Hollande bashkuan forcat për të ulur Moskën dhe Kievin në tryezën e bisedimeve.

Dimitri Medvedev, president i Rusisë, 2008 – 2012, thotë “sipas mendimit tim, ajo zotëron një tipar të veçantë që është i mirë për një negociator dhe për politikanët në përgjithësi. Së pari, ajo di të dëgjojë. E dyta: ajo është e vetëpërmbajtur”.

Merkel ndryshon mendje lidhur me multikulturalizmin

Kur bëhet fjalë për luftën në Siri, Merkel ishte e pafuqishme. Por kur miliona refugjatë arritën në Evropë si rezultat i kësaj lufte, ajo u dha mbrojtje shumë prej tyre në Gjermani.

“Motoja jonë për këtë situatë duhet të jetë: Ne kemi arritur shumë, prandaj mund t’ia dalim mbanë!” – tha Merkel asokohe, kur të gjithë po mbyllnin kufijtë e vendeve të tyre për të parandaluar hyrjen e emigrantëve.

Edhe pse e dinte se po rrezikonte ajo bëri hapin e guximshëm. “Deklarata ‘Ne mund t’ia dalim mbanë – Wir schaffen das” ishte një kthesë vërtet e jashtëzakonshme politike. Merkel doli në kundërshtim me atë që kishte thënë në vitet e mëparshme, duke vënë në pikëpyetje idenë e saj mbi multikulturalizmin, për mundësinë e një shoqërie multikulturore. “Më e rëndësishmja, ajo e zhyti politikën europiane të migrimit në kaos.” – thotë Niall Ferguson, historian pranë Stanford University

Më pas vijuan zërat në rritje të populistëve dhe nacionalizmit. Në vitin 2016, Mbretëria e Bashkuar vendosi të largohej nga Bashkimi Europian. Menjëherë pas kësaj, presidenti i sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, i vuri në provë marrëdhëniet transatlantike. Reputacioni i Merkelit si mbrojtëse e vlerave liberale u rrit.

Masa drastike për të kontrolluar pandeminë

Por kundërshtarët më të ashpër të Angela Merkel ishin të padukshëm. Ajo vendosi masa drastike për të kontrolluar pandeminë e koronavirusit. Në luftën kundër ndryshimit të klimës, megjithatë, Kancelarja shpesh veproi “me gjysmë zemre”.

Epoka “Merkel” po merr fund. Me të po largohet nga skena ndërkombëtare një politikane, e cila preferoi të negociojë në vend që të debatojë me kundërshtarët politikë. Ajo mbështeti bashkëpunimin dhe jo qëndrimet kundërshtuese./DW