Sport Chiellini flet nga kombëtarja: Pirlo dhe Sarri? Janë teknikë shumë të ndryshëm

Chiellini flet nga kombëtarja: Pirlo dhe Sarri? Janë teknikë shumë të ndryshëm

“Është gjithmonë një emocion i shkëlqyeshëm të veshësh fanellën blu. Kthimi në Coverciano, pas më shumë se një viti, ishte një emocion i fortë, një energji pozitive, pas një viti të pafat”. Kështu, Giorgio Chiellini, mbrojtësi i Juventusit, u kthye në kombëtare pas një dëmtimi të gjatë. Sot, gjatë një konference për shtyp në qendrën teknike federale të Coverciano-s, në Firence, ku Italia e Mancini është duke përgatitur ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Bosnjës, më 4 shtator, në stadiumin “Artemio Franchi”, dhe Hollandës, më 7 shtator në Amsterdam.

Në lidhje me futbollin pas dyerve të mbyllura (pa tifozë) dhe sezonin e ardhshëm, Chiellini shtoi: “Ishte e çuditshme të shikoje ndeshjet që luheshin pa tifozë. Nuk ka emocione si ato me stadiumet e mbushura. Shpresojmë që tifozët të kthehen sa më shpejt të jetë e mundur. Pa to, do të duken si ndeshje stërvitore, edhe kur jeni duke luajtur për qëllime të rëndësishme. Sezoni tjetër? Për shkak të Covid-19 nuk mund të flasim për një sezon normal. Në pjesën tjetër të botës ka situata shumë serioze. Ne duhet të përpiqemi të bëjmë më të mirën që mundemi. Është një situatë emergjente. Nëse kampionati nuk ndalet sërish, do të jemi të lumtur. Asgjë nuk është normale tani”.

Mbrojtësi i Juventusit, gjithashtu foli për sezonin që sapo përfundoi me Sarrin në krye: “Një vit i ndërlikuar, ku peripecitë e jashtme i kanë shtuar vështirësitë. Ne bëmë mirë për të fituar përsëri titullin në Itali, por shpresa ishte për të bërë një tjetër lloj rritjeje. Them se bëmë më të mirën, duke pasur parasysh të gjithë përbërësit. Nga ana jonë, nga ana ime, ka shumë respekt për Sarrin.

Një krahasim midis Pirlos dhe Sarrit? Nuk shkon. Ata janë teknikë shumë të ndryshëm; kanë një moshë dhe përvojë krejt të dallueshme nga njëri-tjetri. Andrea i njeh mirë të gjithë njerëzit përreth tij, është njëri nga ne. Deri para disa javësh ishte Andrea për ne, tani është trajneri ynë, duhet të respektojmë rolet dhe hierarkitë.

Nëse Sarri kishte kohën e duhur në Torino? Nuk është as e lehtë të kuptosh kohën e duhur. Ishte një vit i komplikuar dhe gjithçka që ndodhi jashtë na i shtoi vështirësitë. Në çdo rast, ne të gjithë ishim të mirë për fitimin e “Scudetto”, por nuk mjaftonte kaq. Mirë do të ishte një rrugë tjetër, por nuk qe e mundur”.