Bota Fluturimi historik, lidhen për herë të parë Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara...

Fluturimi historik, lidhen për herë të parë Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Në aeroportin “Ben Gurion”, masat e sigurisë ishin nga më të lartat, të denja për një moment historik në marrëdhëniet gjeopolitike në Lindjen e mesme.

Sot me përurimin  e linjës Tel Aviv – Abu Dhabi  u shënua fluturimi i parë midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, duke konkretizuar kështu edhe një nga pikat e diskutuara në marrëveshjen midis dy vendeve, që pritet të firmosin traktatin e paqes zyrtarisht në Uashington.

Marrëveshja konsiderohet si një nga “diamantet” e politikës së jashtme të administratës Trump dhe nuk habit fakti që sot ishte i pranishëm në Tel Aviv si pasagjer i mjetit të kompanisë izraelite El Al edhe Jared Kushner, këshilltar, por edhe dhëndër i presidentit Trump.

“Vendet arabe dhe myslimane duhet të shohin këtë aeroplan si një sinjal të asaj që mund të bëhet për të siguruar paqen” deklaroi Kushner para fluturimit.

Bashkë me të ishin të pranishëm disa nga këshilltarët më të afërt të presidentit amerikan, nga Robert O ‘Brien te Brian Hook dhe Avi Berkowitz, i dërguari për Lindjen e Mesme të Shtëpisë së Bardhë.

Delegacioni izraelit që iu drejtua Abu Dhabit nuk kishte ndërkohë figura të njohura politike, por vetëm burokratë të lartë dhe ekspertë të fushave të ndryshme, nga turizmi tek infrastrukturat, duke bërë të qartë se dy vendet kanë në mendje të shumëfishojnë lidhjet  e tyre në fusha të ndryshme.

Fluturimi Tel Aviv- Abu Dhabi u përurua sot
Në përurim ishte i pranishëm dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner
Delegacioni i fluturimit të parë