Aktualitet Cilat janë qytetet më të “nxehta” të krimit në Shqipëri

Cilat janë qytetet më të “nxehta” të krimit në Shqipëri

Josif Shtëmbari, drejtor i Krimeve në Policinë e Shtetit

Josif Shtëmbari, drejtor i Krimeve në Policinë e Shtetit ka bërë publike numrin e ngjarjeve kriminale të parandaluara në 9 muajt e fundit.

Në emisionin “Publikisht” në RTSH ai deklaroi se janë 102 vepra penale që janë parandaluar në të gjithë vendin.

Ai theksoi se qytetet me nivelin më të lartë të kriminalitetit janë Tirana, Elbasan, Fieri, Vlora pa përjashtuar edhe Shkodrën.

“102 vepra penale të parandaluara në të gjithë vendin në 9-mujorin e këtij viti. Parandalimet nuk kanë qenë të rastësishme. Është një punë e mirëfilltë. Aktiviteti më i madh sipas veprave penale që kanë ndodhur, janë Tirana, Elbasani, Fieri, Vlora pa përjashtuar edhe rastet që kanë ndodhur në Shkodër. Është bërë një punë shumë e madhe për evidentimin dhe mbajtjen nën kontroll të këtyre personave”, u shpreh Shtembari.

Ai foli edhe për bashkëpunimin me organet ligjzbatuese jashtë vendit për persona të dënuar për vepra të ndryshme kriminale. Shtëmbari nuk i përjashtoi rastet e dekonspirimit të informacionit nga ana e punonjësve të policisë, duke theksuar se një nga shkaqet mund të jetë edhe paga.

“Bashkëpunimi me shtetet e Europës ka qenë i shkëlqyer. Sipas informacioneve që kemi marrë jemi vlerësuar me nota pozitive. Informacionet që kemi marrë për personat e dënuar në këto vende, na janë përgjigjur menjëherë. Këto informacione na kanë shërbyer për zbulimin e rasteve në Shqipëri. Ka pasur raste dekonspirimi. Çdo organizatë ka raste. Ndikon edhe paga. Megjithatë ka shumë ndryshim në trajtimin e tyre”, deklaroi ai.