Aktualitet Vrasja e ish-policit, drejtori i krimeve: Po punohet në disa pista, kryesorja...

Vrasja e ish-policit, drejtori i krimeve: Po punohet në disa pista, kryesorja hakmarrja

Josif Shtëmbari, drejtor i Krimeve në Policinë e Shtetit

Josif Shtëmbari, drejtori i Krimeve në Policinë e Shtetit i ftuar në “Publikisht” në RTSH me gazetaren Blerta Tafani ka dhënë detaje nga hetimet për vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Laç.

Shtëmbari deklaroi se po punohet në disa pista, duke theksuar se kryesorja është ajo e hakmarrjes.

“Ngjarjet e fundit përbëjnë shqetësim serioz për shkak se kanë tronditur rendin dhe sigurinë publike. Është një ngjarje që na ka shqetësuar shumë sepse është ish-efektiv. Po punohet për zbardhjen e saj në disa pista. Pista e parë është ajo e hakmarrjes. Po analizohen një pas një informacionet e mbledhura nga grupi i hetimit”, deklaroi Shtëmbari.

Eksperti për sigurinë Xhevat Shala, tha se një nga motivet e vrasjeve që ndodhin sot në vend janë edhe hakmarrjet, duke theksuar se ato nuk mund të parandalohen.

“Një nga motivet e vrasjeve janë edhe hakmarrjet dhe sado punë të bëhet ato nuk mund të parandalohen. Policia mund të dijë autorin por duhen prova. Derisa të shkojmë deri te provat duhet kohë. Policia vihet në trysninë e opinionit pse nuk doli sot autori. Statistikat janë burim i analizës”, u shpreh Shala.