Sport Conte: Do të ringrihemi, edhe Eriksen do të lulëzojë

Conte: Do të ringrihemi, edhe Eriksen do të lulëzojë

Zhgënjimi për eliminimin nga Champions League vijon të jetë i pranishëm te Interi dhe këtë nuk e fsheh as trajneri Antonio Conte, i cili doli sot në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Cagliarin në kampionat.

Tekniku zikaltër foli për transfertën sarde dhe pati një mesazh të qartë edhe për tifozerinë e Interit, duke u kërkuar të mos mbështesin zërat e atyre që mezi presin të shkatërrohet puna e nisur një vit e gjysmë më parë nga klubi.

Çfarë ndeshjeje prisni nesër ndaj Cagliarit?

Si gjithmonë në Cagliari, pres një ndeshje të luftuar dhe të vështirë. Duhet të japim maksimumin që në momentin e parë që do të zbresim në fushë, pasi vetëm kështu mund të marrim fitoren.

Si është gjendja e Vidal?

Kishte një dëmtim të lehtë muskulor dhe nuk duhej rrezikuar, ndaj nuk do ta kemi me vete as ndaj Cagliarit. Duam të rikthehet në maksimum, për të mos rrezikuar një tjetër dëmtim, por ai ka filluar të stërvitet me grupin dhe mund të jetë gati për ndeshjen e mesjavës.

Çfarë reagimi prisni nga skuadra?

Eliminimi nga Champions ishte shumë i dhimbshëm si për mua, ashtu edhe për tifozët, pasi besonim shumë. Natyrisht që morali nuk është i lartë, por do të mundohemi ta përballojmë ndeshjen me Cagliarin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Keni ndonjë premtim apo mesazh për tifozët e Interit?

Nuk duhet t’u japim dorën atyre që po e shijojnë këtë moment të vështirë dhe mezi presin të shkatërrohet ajo që kemi nisur të ndërtojmë që një vit e gjysmë më parë. Shoh shumë negativitet, por duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të mos mbështesim ata që duan shkatërrimin, pasi tremben nga frytet e punës që po bëjmë. E kuptoj padurimin për të fituar, pasi tifozët kanë 10 vite pritje, por kur një punë nis nga themelet, duhet pak kohë dhe pikërisht themelet janë ato më të rëndësishmet. Ne kemi nisur një projekt, ku kemi vlerësuar shumë elementë të rinj, kemi shkuar në finalen e Europa Leagues vitin e kaluar, jemi renditur të dytët dhe kemi shkuar në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Për të ndërtuar një pallat të lartë siç e meritojnë tifozët e Interit, duhen themele të forta dhe për këtë ka nevojë për kohë.

Nuk e ndjeni detyrim triumfin në kampionat?

Kur nisa punën te Interi, më folën për një projekt rritjeje të klubit, rritje të të rinjve dhe ndihmë të futbollistëve kryesorë, të shndërrohen vërtetë në të tillë. Në gusht mu konfirmua e njëjta gjë dhe më thanë që do të ketë një ngadalësim në projekt për shkak të krizës ekonomike. Edhe presidenti më tha të njëjtat gjëra që tha edhe publikisht pas eliminimit. Natyrisht që eliminimi djeg dhe kush më njeh, e di mirë se si e përjetoj unë këtë situatë.

Nën drejtimin tuaj janë përmirësuar shumë futbollistë, por Eriksen nuk po ia del?

Kush tha që ai nuk është përmirësuar? Ju shihni vetëm ndeshjet, por unë e shoh në tërësi dhe bashkë me stafin tim jemi në dispozicion të të gjithë futbollistëve për t’i ndihmuar dhe për t’i përmirësuar. Ne i trajtojmë të gjithë njësoj, qoftë një 18-vjeçar apo një më i vjetër se Handanoviç. Disa janë përmirësuar më shpejt, ndërsa Eriksen mund të dojë pak më shumë kohë, por shumë shpejt do të lulëzojë edhe ai.

Skuadra vuan shpesh kur përballet me skuadra që mbyllen mirë mbrapa. Keni një zgjidhje për këtë?

Shpesh do të gjejmë diçka për të pritur goditjet, por e vërteta është se ne kemi sulmin më të mirë në kampionat. Në 180 minuta ndaj Shakhtarit nuk kemi shënuar, sepse nuk kemi ditur të konkretizojmë rastet e krijuara. Kur gjen skuadra të mbyllura përballë, do të thotë që ato kanë respekt për forcën tonë, punën tonë, rreshtimin tonë dhe arrijnë deri aty sa të dalin nga natyra e tyre për të na përballuar. Megjithatë ana tjetër është që duhet të jemi cinikë dhe të shfrytëzojmë çdo rast për të dërguar topin në rrjetë, pasi nuk fitohen ndeshjet nëse nuk shënon.

Fakti që nuk do të luani në Europë është një avantazh për kampionatin? Çfarë duhet të ndryshoni në përballjet direkte me më të mëdhatë?

Ne duhet të vijojmë të punojmë për t’u rritur, pa rënë në zhgënjim dhe pa i ngarkuar vetes më shumë presion sesa duhet. Futbollistët duhet të kuptojnë se disa ndeshje fitohen pa zbritur në fushë, por ka ende punë për të shkuar deri në atë nivel. Duhet të besojmë në forcat tona dhe në shpërblimin e punës. Më dhemb fakti që do të luajmë vetëm në kampionat e Kupë, dhe kur shoh si jemi eliminuar, ndjej më shumë zhgënjim.

Pse Interi nuk e ka merituar kualifikimin? Ku duhet të përmirësohet?

Në të gjithë situatat negative duhet të jesh inteligjent për të kuptuar se çfarë duhet të ndryshosh për t’u përmirësuar dhe të punosh fort për t’ia dalë. Ndeshjet ku kemi paguar më së shumti janë ato ndaj Realit të Madridit, pasi në dy sfidat ndaj Shakhtarit dhe atë ndaj Borussias në shtëpi, kemi merituar shumë më tepër. Ndaj madrilenëve nuk kemi bërë ndeshje të mira, sidomos në shtëpi, ku e kemi komplikuar ndeshjen që në fillim. Kur luan në të tilla nivele, duhet të minimizosh gabimet sa më shumë.

Pse u largua Godin?

Kam respekt dhe afeksion të jashtëzakonshëm për Godin dhe atë që ai ka bërë sezonin e kaluar. Ai e di mirë mendimin tim në lidhje me të dhe ka shumë rëndësi që ta dijë Godin, jo të tjerët.