Sport Coutinho në Gjermani, Bayerni e zyrtarizon

Coutinho në Gjermani, Bayerni e zyrtarizon

Philippe Coutinho do ta vazhdojë karrierën në Gjermani me fanellën e Bayern Munich. Në një moment kur askush se priste, Bayerni ka konfirmuar marrëveshjen paraprake me Barcelonën për fantazistin brazilian i cili do të transferohet te kampionët e Gjermanisë në formë huazimi me të drejtë blerjeje.

Dy drejtuesit e Bayernit, Rummenigge dhe drejtori sportiv Salihamidzic ishin të mërkurën në Barcelonë ku arritën marrëveshjen si me klubin katalanas, ashtu edhe me lojtarin për të marrë shërbimet e Coutinhos.

E çuditshme zgjedhja e Barçës duke patur parasysh faktin që braziliani i ishte premtuar Paris Saint Germain si shkëmbim për kalimin e Neymar në Camp Nou. Tashmë me kalimin e Coutinhos në Mynih vështirësohet edhe transferimi i O’Ney te Barça.

Nga sa raportojnë mediat spanjolle, Bayerni do të derdhë në arkat e Barçës nga 15 deri në 20 milionë euro për huazimin e 27-vjeçarit, ndërsa blerja përfundimtare mund të bëhet vitin e ardhshëm për 120 milionë euro të tjera.

Coutinho u transferua te Barcelona para 1 viti e gjysmë për 145 milionë euro, ndërsa gjatë kësaj periudhe kishte shumë luhatje duke e treguar vetëm në sfida të caktuara klasin e tij dhe duke mos fituar dot zemrat e tifozëve të Barçës që në disa raste edhe e kanë vërshëllyer. 21 gola të realizuar në 76 ndeshje në total me blaugranat ishin pak për Coutinhon që tashmë do ta vazhdojë karrierën në Gjermani, pasi me afrimin e Griezmann te Barcelona hapësirat u ngushtuan akoma më shumë për të.