Aktualitet “Dajti”/ Pas kontrollit të banesës gjyqtari Damini largohet pa u përgjigjur gazetarëve

“Dajti”/ Pas kontrollit të banesës gjyqtari Damini largohet pa u përgjigjur gazetarëve

Gjyqtari Skënder Damini nuk ka pranuar të japë asnjë koment për gazetarët të cilët ndodheshin pranë banesës së tij.

Prej mëngjesit forcat Speciale kanë ushtruar kontroll në banesën e gjyqtarit këtu në Tiranë.

Damini, është njëri prej gjyqtarëve që kanë gjykuar dosjen e Dritan Dajtit dhe kanë vendosur heqjen e dënimit me burg përjetë dhe kthimin e tij në 25 vite burg.

Sipas Ora News, në banesë gjyqtarit i janë gjetur një shumë mbi 15 mijë euro.

“Aktualisht forcat operacionale të policisë së shtetit po ushtrojnë kontrollin në banesën e tij këtu në Tiranë.  Nga të dhënat që kemi mësuar se gjyqtari ndodhet në banesë me familjarët e tij. Operacioni ka nisur që në orët e para dhe po vijon dhe në Vlorë e Lezhë. Nga të dhënat e para është gjetur një shumë prej 15 mijë eurosh”, raporton Ora News.

Vetë gjyqtari dhe familja e tij kanë qenë në banesë kur është bërë kontrolli me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Vendim, i cili ishte marrë pasditen e djeshme (14 shkurt 2019).

Edhe në Vlorë është ushtruar kontroll në një apartament në pronësi të Skënder Daminit. Ka qenë djali i gjyqtarit i cili ka udhëtuar drejt Vlorës për ti vënë në dispozicion policisë çelësat e apartamentit që ndodhet në katin e fundit të një pallati me papafingo dhe me pamje nga deti.

Vendimi për Dritan Dajtin u dha më 8 shkurt 2019 nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda. Tre gjyqtarë, Aleks Nikolli, Petrit Aliaj, dhe Skënder Danimi kanë qenë pro aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe dënimin përfundimtar me 25 vite burg.