Sport De Biasi befason shqiptarët: Në Europian shkova me skuadër më të dobët...

De Biasi befason shqiptarët: Në Europian shkova me skuadër më të dobët se Azerbajxhani

Ish-trajneri i kombëtares kuqezi dhe një nga emrat që ka shkruar kapitullin më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, Xhani De Biasi, i cili tashmë drejton Azerbajxhanin, ka befasuar në konferencën për shtyp përpara ndeshjes kundër Luksemburgut.

Ish-tekniku i përfaqësueses sonë, në përpjekje për të motivuar skuadrën që lufton për të shmangur rënien nga Liga, ka gjetur një mënyrë e cila ka ngjallur reagime.

“Ne kemi lojtarë të mirë. I kushtoj vëmendje çdo detaji, që nga ushqimi e deri te regjimi i tyre. Siç e kam thënë që prej ditës së parë, duhet të ndryshojmë mentalitetin. I kam shpjeguar lojtarëve që ata kanë potencial. I kam shpjeguar atyre se kam arritur të kualifikohem në finalet e kampionatit evropian me një skuadër më të dobët se ata. Lojtarët duhet të mbështeten te potenciali i tyre.”

Deklaratat e Xhani De Biasit duken më tepër si një mënyrë motivimi për ekipin, por edhe justifikim për punën në stolin e Azerbajxhanit. Në këtë edicion të Ligës së Kombeve, azerët kanë fituar një ndeshje, kanë barazuar dy, dhe kanë humbur tre të tjera, ndërsa italiani është emëruar për të nisur një projekt rinovimi për të ardhmen, me synimin që të përsëriste suksesin e regjistruar me kuqezinjtë në Euro 2016.