Bota DEA sekuestron heroinën “Escobar”, në treg vlente 10 milionë dollarë

DEA sekuestron heroinën “Escobar”, në treg vlente 10 milionë dollarë

Oficerët e DEA-s kanë sekuestruar heroinë dhe fetanil me vlerë 10 milionë dollarë në një apartament në Nju Jork, të cilat ishin paketuar me foto të trafikantit famëkeq Pablo Escobar.

Sipas DEA-s, dy të arrestuarit përdornin fotot e Escobar për të marketuar “produktin” e tyre, edhe pse ai njihej si “Mbreti i Kokainës”.

Hetuesit thanë se malli ishte ambalazhuar dhe fshehur në dollap dhe po përgatitej për t’u nxjerrë në treg. Ndërsa disa pako të tjera ishin etiketuar me kode dhe pamje avionësh. Gjatë operacionit u arrestuan edhe dy persona si dhe u sekuestruan 200 000 dollarë, peshore dhe një numërues parash.

Fetanili është një substancë tepër e rrezikshme, vetëm 2 miligram prej saj konsiderohet dozë vdekjeprurëse.

E përzierë me heroinën, nuk ka asnjë mundësi që konsumatori të dijë se sa është sasia që po merr.

Sipas agjencisë amerikane, lufta ndaj narkotikëve po ndryshon pasi trafikantët kanë filluar të nxjerrin më tepër përfitime prej heroinës së përzierë me fetanil se sa nga kokaina, por ky “produkt” ka rritur edhe më shumë numrin e viktimave.