Shëndet Debati: Goditet apo jo COVID-i nga rrezet e diellit?

Debati: Goditet apo jo COVID-i nga rrezet e diellit?

Një studim i shkencëtarëve amerikanë ka treguar që virusi COVID-19 vdes më shpejt kur i ekspozohet rrezeve të diellit në mënyrë direkte, megjithëse studimi ende nuk është publikuar dhe është në pritje të vlerësimit të jashtëm.

William Bryan, një këshilltar i shkencës dhe teknologjisë së Departamentit të Sigurisë së Brendshme, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se shkencëtarët e qeverisë kanë zbuluar se rrezet ultravjollcë kanë një ndikim të fortë në patogjenin, duke ofruar shpresë se përhapja e tij mund të lehtësohet gjatë verës.

“Virusi vdes më shpejt në prani të dritës së diellit direkte. Vëzhgimi ynë më i mrekullueshëm deri më tani është efekti i fuqishëm që drita diellore duket se ka në vrasjen e viruseve si në sipërfaqe ashtu edhe në ajër. Ne kemi parë një efekt të ngjashëm me temperaturën dhe lagështinë”, shtoi ai.

Prej kohësh është e njohur se drita ultravjollcë ka një efekt sterilizues sepse rrezatimi dëmton materialin gjenetik të virusit dhe aftësinë e tij për t’u përsëritur.

Por koronavirusi gjithashtu ka provuar të jetë vdekjeprurës në vendet me mot të nxehtë si Singapori, Malajzia dhe Tajlanda, duke ngritur pyetje më të gjera në lidhje me ndikimin e faktorëve mjedisorë.

Dr. Margaret Harris nga Organizata Botërore e Shëndetit tha se “provat nuk mbështesin” teorinë e dritës së diellit“.

“Më vjen keq, por nuk mund të shpresojmë që vera të ketë efektin që shumë shpresojnë se do të bëjë”, tha Harris.