Politika Dekretimi i ligjit për ‘Zonat e Mbrojtura”, Bardhi: Për Presidentin prevalon gjithnjë...

Dekretimi i ligjit për ‘Zonat e Mbrojtura”, Bardhi: Për Presidentin prevalon gjithnjë interesi korruptiv i klientëve të Ramës

Pasi presidenti Bajram Begaj dekretoi ligjin për zonat e mbrojtura, ka reaguar edhe kreu i grupi parlamentar të Rithemelimit, Gazment Bardhi.

Bardhi shprehet se kreu i shtetit humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik.

Sipas tij, në këtë rast prevaloi interesi “korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptar.”

“Përsëri sot Presidenti i Republikës humbi mundësinë të jetë shërbyes i interesit publik. Dekretimi prej tij i ligjit që shkatërron zonat e mbrojtura është tjetër provë se për Kreun e Shtetit në çdo rast prevalon interesi korruptiv i klientëve të Edi Ramës dhe jo interesi i qytetarëve shqiptarë”, shprehet Bardhi.

Bardhi nënvizoi më tej se “që nga emërimi në detyrë Presidenti i Republikës ka kthyer për rishqyrtim vetëm një ligj, që lidhej me interesat personale të tij. Ndërkohë një shumësi ligjesh, që prekin interesin e qytetarëve, që bien ndesh me Kushtetutën, ligje me porosi klienteliste apo korruptive, janë miratuar me kokën ulur nga Presidenti i Republikës, duke u vetëshpallur si degë e ekzekutivit dhe duke humbur rolin e tij kushtetues”.

Ai shtoi se Shqipëria ka nevojë urgjente për rikthimin e balancës mes pushteteve dhe sipas tij, “rikthimi i mekanizmave demokratike dhe mbrojtja e demokracisë është më i domosdoshëm se kurrë”.