Politika Dendias: Integrimi në BE i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, zgjidhje strategjike

Dendias: Integrimi në BE i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, zgjidhje strategjike

Integrimi i Shqipërisë dhe i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Eropian është zgjedhje strategjike si për Bullgarinë ashtu edhe për Greqinë, që do të çonin në një Ballkan të qëndrueshëm, deklaroi kreu i diplomacisë greke, Nikos Dendias pas takimit me homologen bullgare Ekaterina Zaharieva.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Bullgarisë shprehën mbështetje për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, por duke respektuar kushtet e përcaktuara.

“Edhe Bullgaria, edhe Greqia, janë faktorë stabiliteti dhe bashkëzhvillimi në rajonin tonë. Ne jemi ndihmës në rrugën e fqinjëve tanë drejt Bashkimit Europian, vendeve të Ballkanit, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, natyrisht, gjithmonë me kusht që të respektohen kushtet e përcaktuara. Integrimi i këtyre vendeve në Bashkimin Europian është një zgjedhje strategjike si për Bullgarinë ashtu edhe për Greqinë, duke çuar në një Ballkan të qëndrueshëm”, theksoi Dendias.

“Është me rëndësi të madhe për sigurinë e të dy vendeve, por perceptimi i përbashkët është se ata duhet të kryejnë rreptësisht reformat dhe të ndjekin parimet e fqinjësisë së mirë”, theksoi Zaharieva.

Shefat e diplomacive të dy vendeve diskutuan gjithashtu për pandeminë, pasojat e saj dhe përpjekjet për t’u rikthyer në normalitet, kurse Zaharieva edhe në takimin me Mitsotakisin edhe me Dendiasin ngriti çështjen e hapjes së një kalimi të dytë kufitar midis dy vendeve, përveç Promahonas.