Aktualitet Dënohet me 6 vite burg këngëtarja Fjolla Morina

Dënohet me 6 vite burg këngëtarja Fjolla Morina

Gjykata e Kukësit ka dënuar me 6 vite burgim në mungesë këngëtaren Fjolla Morina. Ajo është shpallur fajtore nga Shkalla e Parë për veprën penale të trafikimit të armëve dhe municioneve dhe armëmbajtje pa leje.

Avokatja e Fjolla Morinës kërkoi në seancën gjyqësore që ndaj këngëtares të jepet një dënim me gjobë, por trupi gjykues vendosi 6 vite burgim. Avokatja paralajmëroi se ky vendim do të apelohet.

“Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ka pasur vetëm një armë, e ka pasur pa dashje, aksidentalisht në çantën e saj”, u shpreh avokatja Aurora Guska.

Fjolla Morina u dënua në mungesë pasi është arratisur. Këngëtarja po gjykohej në masën e sigurisë arrest shtëpie, por më 20 janar 2021, Fjolla Morina ishte larguar nga shtëpia me qira që kishte marrë në Kukës ku po qëndronte me masën e sigurisë.

Pak ditë më parë, ajo u martua në Maldive me biznesmenin Besnik Syla.

Fjolla Morina ishte arrestuar më 19 shtator 2020 në doganën e Morinës duke hyrë për në Shqipëri, nën shoqërinë e biznesmenit Besnik Syla dhe të një personi tjetër. Këngëtares iu gjetën dy pistoleta pa leje.