Sport Derbi me Tiranën, Partizani me tifozë edhe nga Kosova

Derbi me Tiranën, Partizani me tifozë edhe nga Kosova

Tifozë nga Kosova për të qenë të pranishëm në derbin e kryeqytetit, Partizani-Tirana, duel që mund të shpallë matematikisht kampion të kuqtë, pas 26 vitesh pritje. Mësohet se klubi i kuq u ka krijuar mundësinë tifozëve nga Kosova që të udhëtojnë drejt Tiranës duke u siguruar autobusët pa pagesë si dhe biletat e ndeshjes ndaj rivalëve.

Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të udhëtojnë drejt Tiranës, mund të kontaktojnë me kryetifozin e Partizanit në Kosovë, Korab Elshanin, thuhet nga klubi i kuq.

Derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Tiranës zhvillohet të dielën, në orën 16:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Partizani është klubi më popullor në vend, por edhe në viset ku banojnë shqiptarë. Për këtë arsye, drejtuesit e kuq dëshirojnë një festë gjithëpërfshirëse, me përfaqësues nga të gjitha trevat.

Kujtojmë se te Partizani vitet e fundit kanë dhënë kontribut lojtarë të shumtë nga Kosova dhe Maqedonia, disa prej të cilëve, si Rrahmani apo Fejzullahu, e kanë shfrytëzuar klubin e kuq si trampolinë për të kaluar në kampionate më të rëndësishme.