Sport Dështimi i Sarrit, te Chelsea nuk e kuptojnë taktikën e tij

Dështimi i Sarrit, te Chelsea nuk e kuptojnë taktikën e tij

Futbollistët e Chelsea-t e kanë të vështirë të zbatojnë udhëzimet e shumta taktike të Maurizio Sarrit, ndaj dhe kanë ardhur rezultatet negative, që kulmuan me humbjen e thellë 6-0 në fundjavë me Manchester City-n. Kjo është analiza e “Daily Mail” për vështirësitë që po has tekniku italian për të përçuar idetë e tij në skuadër.

Shumë lojtarë janë ankuar se e kanë të vështirë t’i përthithin nocionet e shumta taktike të Sarrit dhe stilin e lojës që ai kërkon të aplikojë. Për këtë arsye, blutë ndihen në ankth dhe konfuzë para ndeshjeve.

Po sipas “Daily Mail”, Sarri po “lufton” që të bindë drejtuesit e Chelsea-t se mund të ketë të ardhme në “Stamford Bridge”.

Ai këmbëngul se nuk ka organikën e përshtatshme në dispozicion për vënë në praktikë filozofinë e tij të futbollit.

Drejtuesja e lartë, Marina Granovskaia, do t’i japë besimin e duhur, por ka përjashtuar mundësinë që Sarri të këtë plotfuqinë për të marrë futbollistët që kërkon në merkaton e verës.