Kryesore Digjet makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës

Digjet makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës

Automjeti që përdorej nga kryetari i Bashkisë së Vlorë, Dritan Leli, është shkatërruar tërësisht pasi u përfshi nga flakët e zjarrit. Automjeti tip “Range Rover” ka qenë i parkuar kur u përfshi nga flakët.

Për pasojë, edhe një makinë tjetër tip Ford që ndodhej pranë automjetit të Bashkisë së Vlorës, mori flakë. Të dy makinat u dëmtuan tërësisht. Policia thotë se makina që përdorej nga Dritan Leli ishte parkuar pranë pallatit ku banon shoferi i kryebashkiakut të Vlorës. Shkaqet e ngjarjes janë të paqarta. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje.

Njoftimi i Policisë së Vlorës:

Më datë 10.10.2019, rreth orës 04:26, në lagjen “Lef Sallata” Vlorë pranë zyrave të punës, ka marrë flakë automjeti tip Range Rover në pronësi të Bashkisë Vlorë (mjet që përdorej nga Kryetari i Bashkisë Vlorë), ku si pasojë e flakëve ka marrë zjarr edhe një automjet tjetër tip Ford, parkuar në afërsi.

Drejtuesi i mjetit Range Rover, shtetasi E.T (shoferi i Kryetarit të Bashkisë) e kishte parkuar mjetin pranë pallatit ku banon. Ndërsa mjeti tjetër tip Ford është në pronësi të shtetasit B.A.

Si pasojë e flakëve, të dy mjetet janë dëmtuar plotësisht. Policia ka ngritur një grup hetimor me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme në lidhje me përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.