Kryesore Dinastia: Vdes Peter Gotti (por bossi i vërtetë i mafias së New...

Dinastia: Vdes Peter Gotti (por bossi i vërtetë i mafias së New York-ut ishte John)

John Gotti në qendër, në të djathtë Peter

Ngjitja dhe rënia e dinastisë napolitane: Peter, i ndrojtur dhe pa dëshirë për të komanduar, mbajti të bashkuar familjen nga 1999 deri në 2002, kur John fillimisht u sëmur dhe më pas vdiq në burg. Nga se ndryshonte Cosa Nostra amerikane nga ajo italiane dhe si John Gotti u bë mafiozi numër një në Amerikë.

Nga Roberto Saviano

Plaku Peter Gotti ishte shumë i ndryshëm nga vëllai i tij John. Peter ishte i ndrojtur, i matur, por nuk kishte asnjë dëshirë për të komanduar, ndërsa John ishte në fakt një talent për të qëndruar në qendër të vëmendjes. Peter ishte “bërë” mafioz nga i vëllai në fund të viteve ’80, John kur ishte i ri kishte vetëm një mendim në kokë: të fliste drejtpërdrejt me don Carlo Gambino, numri një. Dhe ai arriti. Familja Gotti ishte me origjinë napolitane nga San Giuseppe Vesuviano, me një baba fermer të papunë dhe me një nënë punëtore që çonte përpara familjen e madhe prej 11 fëmijësh të gjithë të lindur në rrugët e Brooklyn. Gottë-t komandonin në vitet 80 familjen e Gambinove që kishin origjinë siçiliane.

Tani, edhe pse nuk e di për cilën arsye, por nuk është e qartë – për disa po – që Cosa Nostra amerikane nuk është si Cosa Nostra italiane. Cosa Nostra italiane është e përbërë vetëm nga familje siçiliane (me një përjashtim të një familje napolitane që ulet me drejtuesit), ndërsa Cosa Nostra në Amerikë mbledh të gjithë kriminelët italianë në një organizatë të vetme, e pavarur nga origjina e vendit: lukanë, abrucezë, puliezë, siçilianë, kalabrezë, kampanë.

Peter Gotti e mbajti drejtimin e familjes nga viti 1999 deri në 2002, kur John fillimisht u sëmur dhe më pas vdiq në burg. Pak kohë dhe shumë fatkeqësi, e para ishte mosarritja e vrasjes së Salvatore “Sammy the Bull” Gravano, njeriu që duke bashkëpunuar me FBI-në çmontoi të gjithë klanin dhe futi në krizë të madhe drejtimin e Cosa Nostra-s amerikane. Peter vendosi një shpërblim mbi kokën e Bull që të vritej, pastaj vendosi një shpërblim tjetër për këdo që sillte informacion mbi të. Më pas nisi të arsyetonte nëse duhej të shfaroste familjen Gravano, por e bllokuan familjet e tjera, duke thënë se vetëm do të mbështeste deklaratat e tradhtarit. Peter pa familjen Luçhese të merrte superioritetin mes dënimeve dhe pendimeve (të njerëzve të tij) dhe mbylli jetën e tij në burg pa arritur ta çonte familjen në fitimet e të vëllait.

John Gotti i sigurt në fuqinë dhe famën e tij, në mes të viteve 80 e kishte fitimin personal 15 milionë dollarë në vit, por struktura e Cosa Nostra-s, pesë familjet (Gambino, Lucchese, Genovese, Bonanno, Colombo) nisën të kishin shumë procese dhe për këtë kishte një arsye: karrierat politike të prokurorëve të New York-ut mateshin se sa mafiozë kishin arrestuar – diçka e paprecedentë më përpara në historinë demokratike amerikane – dhe kështu klanet duhej të tregoheshin të fortë, pavarësisht pengesave. Të tregoheshin, jo të ishin. Gotti vendosi për dukshmërinë që e ktheu në shënjestër, por që përforcoi lidershipin e Gambinove në të gjithë botën. Pas një atentati ndaj mafiozit DeCicco në 1986 shumë dritë mediatike u ndez në New York rreth grindjeve të brendshme të familjes Gambino. DeCicco u hodh në erë nga një bombë, Gotti në momentin e parë besoi se ishin “zip-at”, pra jo mafiozët italo-amerikanë, por mafiozët e rinj siçilianë që vinin nga Italia për të kuruar interesat e tyre (gjithnjë iu ishte lejuar mafiozëve italianë të vepronin në çdo territor pa informuar askënd).

Cosa Nostra amerikane ndryshe nga kushërinjtë italianë nuk përdorte bomba, nuk donte të rrezikonte jetë të pafajshme, ashtu siç nuk prekte gjykatësit që duheshin blerë dhe nuk i prekte gazetarët që i cilësonin jo me ndikim, pasi në SHBA opinioni publik duhej korruptuar, jo influencuar.

DeCicco në fakt ishte vrarë nga familja Lucchese, por lajmi i rëndësishëm për Gambinot ishte se revista Time kishte vendosur në kopertinë një projekt artistik të kuruar nga Andy Wharol pikërisht atë: John Gotti. Ishte një nga kopertinat më të shitura të të gjitha kohërave dhe John u bë bosi më i famshëm i botës, dhe prezantohej ashtu siç e imagjinonin: veshja të shtrenjta, elegante dhe italiane. I rruar mirë (Cosa Nostra amerikane i urrente mjekrat dhe mustaqet) me flokë të kuruara përditë te një berber.

Gotti u kthye në mitin e bosit që nuk fshihej pas hipokrizisë, paratë bëhen gjithnjë duke bërë krim, por e rëndësishme ishte t’i rishpërndaje tek ata që kishin nevojë dhe të respektoje rregullat e nderit. Kështu e tregonin, ai ishte i ashpër me armiqtë, por dashamirës me të dobëtit. Në realitet John ishte tejet autoritar me Peter dhe vëllai i tij e dinte mirë që nuk kishte asnjë vizion liberal siç tregonte në intervista. Ishte racist deri në rrënjë siç tradita mafioze e donte, urrejtja për afro-amerikanët mbeti prioritare, ata i quante “’e tizzun’”, prush karboni në dialektin napolitan. Gottë-t ishin antisemitë, nuk e kishin përtypur kurrë faktin që organizatat italiane kishin lejuar në vitet 40 që mafia hebraike të bashkohej me ta. Jack Newfield në një nekrologji në revistën New York e përshkruante kështu bosin: “John Gotti ishte një bos div i dashuruar pas vetes, e barazonte egon e tij me të gjithë Cosa Nostra-n. Ishte një rikthim pas në kohë i kriminelëve të parë narcistë, Bugsy Siegel dhe Al Capone, që nuk i kuptonin kufijtë dhe ishin të pavarur nga publiciteti”. Peter ishte vetëm vëllai i mbretit, ai që vinte pas, kishte rëndësi vetëm se mund të arrinte para të tjerëve te vëllai. Pra nuk vdiq Peter Gotti, por vdiq vëllai i John Gotti-t./Corriere della Sera/ American Eye