Politika Djegia e mandateve, Kryemadhi: Gabim që Meta nuk do ma falë, shquhem...

Djegia e mandateve, Kryemadhi: Gabim që Meta nuk do ma falë, shquhem për naivitet politik. Votat i bleu edhe PD

Monika Kryemadhi përsëriti edhe një herë që vendimi për djegien e mandateve ka qenë një gabim i kalkulimit politik.

“Gabim ka qenë, por gabimet bëhen edhe mësime të vlefshme për të ardhmen. Largimi nga institucionet është gjykuar si naivitet politik, por unë jam shquar për naivitet politik dhe jo për teori të mëdha zhvillimore, por në atë moment ishte e domosdoshme sepse në qoftë se LSI nuk do t’ i bashkoheshe PD-se, do të kishte presion shumë të madh mbi në që do të merrnim mbi supet tona të brishta të gjithë mëkatet e PD-së, PS-së, LSI-së së vjetër, dhe do të jepej LSI si ushqim për të thënë se ja ku e keni, se ne jemi të pastër. E vetmja alternative ishte të shkoja përpara, pa kthyer kokën pas”, tha Kryemadhi mbrëmë në A2 CNN.

Një vendim, ai i djegies së mandateve, i kritikuar hapur edhe nga bashkëshorti i saj, njëkohësisht edhe presidenti i vendit, Ilir Meta.

“Ilir Meta nuk ka për ta pranuar faljen time. Ai është një nga respektuesit më të mëdhenj të institucioneve, jo më të djegieve të mandateve, nuk do të ma falë edhe për kur të ndahemi nga kjo botë, sepse i ka kushtuar shumë Shqipërisë. Por probleme kishte edhe në frontin e brendshëm opozitar, edhe në blerjen e votës. Blinin votën edhe kandidatët e PD-së. PS i blinte me legalizimet, tenderat, vendet e punës, PD i blinte me para në dorë. Boll të shkosh në Fier dhe Durrës. Të shohësh si janë blerë. Këto informacione ja kam dërguar zotit Basha”, deklaroi Kryemadhi.