Sport Djokovic: Nuk jam kundër vaksinimit, por trupi im është më i rëndësishëm...

Djokovic: Nuk jam kundër vaksinimit, por trupi im është më i rëndësishëm se çdo titull

Novak Djokovic, para se të nisej për në Dubai për të debutuar këtë sezon në “Open 500”, ka thyer heshtjen për BBC pas deportimit nga Australia.

Numri 1 i tenisit premtoi javën e kaluar se do të fliste brenda 10 ditëve dhe e ka bërë duke këmbëngulur se nuk do të vaksinohet për momentin “megjithëse kam një mendje të hapur, sepse duhet të gjejmë një zgjidhje për t’i dhënë fund Covid-it”.

Tenisti serb tha se nuk është aspak “anti-vax”, por mbron të drejtën e individit për të zgjedhur.

“Unë nuk jam kundër vaksinimit, por trupi im është më i rëndësishëm se çdo titull. Është çmimi që jam i gatshëm ta paguaj. Unë mbroj lirinë për të futur gjithçka që dua në trupin tim.”

Kur u pyet nëse do të sakrifikonte “Grand Slam”-e si Wimbledon apo Roland Garros, Djokovic u përgjigj: “Po, jam i gatshëm që ta paguaj këtë çmim. Nuk kam qenë kurrë kundër vaksinës, i kam bërë të gjitha vaksinat kur kam qenë i vogël, por mbështes të drejtën e zgjedhjes së çdo personi”.

Tenisti shtoi se shpreson që rregulli i vaksinës të ndryshojë nëpër turnetë e tenisit, por konfirmoi se nuk do të luajë aty ku vaksina është me detyrim.

“E kam marrë këtë vendim, pasi ajo që fus në trupin tim është më e rëndësishme se çdo titull. Dua të respektoj organizmin tim sa më shumë të jetë e mundur”, tha Djokovic.

Ky pozicionim i prerë i Djokovicit e largon përfundimisht atë nga dy Masters 1000, në Indian Ëells dhe Miami, turne që do të zhvillohen duke nisur nga 10 marsi në Shtetet e Bashkuara, vend që e ka kusht vaksinimin.

Nole do të nisë përgatitjet për turneun evropian të fushës me dhe në mars. Tani për tani, ai mund të marrë pjesë në Monte Carlo (10 deri në 17), sepse janë më pak se katër muaj infektimi me koronavirusi në dhjetor.

Rafael Nadal kryeson renditjen e titujve “Grand Slam” me 21 të tillë, pas fitores së fundit të “Australian Open”.

Djokovic iu referua në intervistë edhe mënyrës sesi u largua nga Melburni, pasi u ndalua dy herë nga autoritetet lokale: “Jam shumë i zhgënjyer nga mënyra se si shkuan gjërat atje. Nuk ishte aspak e lehtë të përballesha me atë situatë.”