Politika Berisha hesht për humbjen në Kukës, flet për situatën në Kosovë: Me...

Berisha hesht për humbjen në Kukës, flet për situatën në Kosovë: Me Vuçiç, rajoni nuk do të gjejë paqe

Sali Berisha gjatë një deklarate për media, ditën e sotme ka folur lidhur me situatën në veri të Kosovës ku humbi jetën efektivi i Policisë së Kosovës.

Berisha është shprehur se sulmi i ditës së djeshme ishte fillimi i një kryengritje të armatosur nga Beogradi.

Ndër të tjera Berisha ka vijuar deklaratën e tij ku është shprehur se organizatori i sulmit ndaj Policisë së Kosovës është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Sulmi i djeshëm terrorist në manastirin e Banjskës ishte fillimi i kryengritjes së armatosur, të organizuar nga Beogradi për hapjen e një konflikti të ri në rajon. Për PD, dje rajoni ynë përjetoi ngjarjen më të rëndë në fushën e sigurisë, që nga përfundimi i luftës për çlirimin e Kosovës.

Kjo kryengritje, siç do ta quante sulmin terrorist vetë Aleksandër Vuçiç, shënonte fillimin e skenarit të njoftuar publikisht nga Kremlini për hapjen e një konflikti të ri, krahas atij të Ukrainës, në Ballkan për interesa të mirëfillta të rusomadhisë dhe serbomadhisë. Ky skenar u përgatit me kujdes në rrafshin politik dhe ushtarak nga Beogradi, në funksion të radikalizmit të gjendjes dhe përgatitjes së kryengritjes së armatosur, është tërhequr pa asnjë shkak ligjor, nga serbomadhi Vuçiç, i tërë kontingjenti i serbëve nga ët gjitha institucionet e Kosovës. Krahas këtij akti destabilizues, Beogradi ndërmori prej disa muajsh futjen në Kosovë të forcave të veta speciale, mercenarëve rusë të Ëagner, kriminelëve dhe vrasësve ordinerë, me të cilët Aleksandër Vuçiç ndan pushtetin.

Përveç këtyre, Beogradi futi në Kosovë armatime të shumta, duke i depozituar ato edhe në Kisha, në përpjekje djallëzore për t’i dhënë konfliktit që do shpërthente, nuanca fetare. Të gjitha këto akte të rënda ndaj sovranitetit të Kosovës janë denoncuar në mënyrë të përsëritur nga autoritetet e Kosovës, mediat dhe autoritetet ndërkombëtare si kryetarja e Komisionit të Jashtëm në parlamentin britanik, e nderuara Alicia Kearns.”

Berisha u shpreh se Vuçiç me heshtjen e tij për 19 orë pohoi se ishte ai organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë.

“Kryengritja që kishte për synim vënien në kontroll të territorit të veriut të Kosovës, shënonte edhe fillimin në rajon të konfliktit të porositur dhe shumëpritur nga Kremlini. Por policia e Kosovës, me guxim dhe profesionalizëm të lartë, pas shumë orësh luftimesh të ashpra, në të cilat u vranë disa anëtarë të grupit të armatosur terrorist, arriti të shtypë kryengritjen dhe të vendosë nën kontroll të plotë manastirin dhe të gjithë territorin e vendit. Para këtyre zhvillimeve dramatike, serbomadhi Vuçiç me heshtjen e tij të plotë prej 19 orësh, pohoi qartësisht se ishte organizator i kryengritjes së armatosur në Kosovë. Ai foli vetëm pasi kryengritja u shtyp në Kosovë dhe humbi çdo shpresë për suksesin e saj. Ai, pas 19 orësh, deklaroi se ishte një kryengritje e serbëve të Kosovës kundër Albin Kurtit, duke faktuar se qëndronte prapa saj.”

Berisha nuk foli për humbjen e thellë në Kukës, ndërsa hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për reagimin e këtij të fundit mbi situatën në veri të Kosovës, ku tha reagoi si argati i Vuçiçit dhe se qëllimi i tij ishte t’i hapë dyert Rusisë në tryezën e bisedimeve.

“Por si me komandë nga Beogradi, reagoi ndaj sulmit të grupit terrorist të përbërë nga oficerë të ushtrisë serbe, argati i Vuçicit në Tiranë, Edi Rama. Në reagimin e tij në platformën X, Edi Rama nuk shprehu ngushëllime për policin e rënë në krye të detyrës, sikur në Banjskë po ndodhte një përleshje mes bandash dhe banditësh. Së dyti, duke besuar se kryengritja nuk do të shtypej nga policia e Kosovës, përsëriti kërkesën e Beogradit për konferencë ndërkombëtare për të zhbërë arritjet 23-vjeçare të Kosovës në rrugën e lirisë dhe pavarësisë dhe për të hapur dyert për uljen e Rusisë në këtë tavolinë, kërkesë kjo e Serbisë.”