Bota Donald Trump, dritëhijet e një Presidenti

Donald Trump, dritëhijet e një Presidenti

“Amerika në vend të parë”! Moto, e cila vazhdon të shoqërojë presidencën Trump, me këtë të fundit që pas përfundimeve të hetimeve për “Russiagate” ndihet dhe më i sigurt drejt marrjes së mandatit të tij të dytë presidencial.

Pas zhdukjes së reve të “Russiagate”, Donald Trump është i qetë, sipas bashkëpunëtorëve të tij. Ndërkohë ai përfitoi për të firmosur njohjen e sovranitetit të Izraelit në lartësitë e Golanit, të paralajmëruar me një mesazh në Twitter me rastin e vizitës së Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.

Lartësitë e Golan janë territor i Sirisë i pushtuar nga Izraeli në vitin 1967, pas luftës së gjashtë ditëve dhe më pas u aneksua njëanshmërisht në vitin 1981, në shkelje të rezolutave të OKB-së. Jo vetëm kaq. Një ditë pas publikimit të përfundimeve të hetimeve nga Robert Mueller, Trump ndërroi mendje dhe për prokurorin special pasi për 22 muaj e kishte cilësuar hetimin e tij si një gjueti shtrigash.

Tashmë për Trump, Robert Mueller, është simboli bipartizan i shërbimit civil dhe ka vepruar me ndershmëri. Presidenti amerikan nuk ka asgjë kundër dhe me Sekretarin amerikan të Drejtësisë, i cili duke iu bindur kërkesës së opozitës, do të bëjë publik të gjithë raportin. Ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë festoi përfundimin e hetimeve duke shkruar në Twitter: Asnjë përplasje, asnjë pengesë, është një shfajësim I plotë.

Por lajmi ishte një dush i ftohtë për demokratët të cilët për dy vjet mbështetën opozitën e tyre në teoremën e lidhjes me rusët. E tashmë bëhet më e vështirë gara e kandidatëve demokratë, të cilët synojnë ta mundin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 2020-s. Në sy të mbështetësve të tij, Trump ka dalë më i fortë nga ky hetim.

Raporti i Mueller do të bëhet për presidentin amerikan një armë elektorale për ta përdorur kundër demokratëve gjatë fushatës elektorale. Ai që duhej të ishte fillimi i fundit për presidentin miliarder, në mënyrë paradoksale është kthyer në një mjet që favorizon mundësinë e një mandate të dytë presidencial për të.

Demokratët do të përpiqen që të rinisin hetimet për Trump. Raporti gjithsesi do i japë një impuls hetimeve të reja nga ana e Kongresit përveç se të shtrijë hetimet dhe në anëtarët e tjerë të familjes Trump për akuza si taksa ta papaguara dhe flukse financiare drejt Rusisë nga llogaria e tij në Deutsche Bank, si dhe për fondacionin Trump, i cili u mbyll në mënyrë shumë të shpejtë.

Gjithsesi rrëzimi i akuzave ndaj Trump, në një lexim më të detajuar, është një gjysmë shfajësimi. Mueller ka përdorur 19 avokatë dhe 40 persona të tjerë mes agjentëve të FBI, analistë të shërbimit të inteligjencës, këshilltarë ligjorë dhe llogaritarë për të përfunduar hetimet e tij në çështjen “Russiagate”. Gjihtashtu ai ka lëshuar 2800 kërkesa për marrje në pyetje, 500 paralajmërime dhe ka dëgjuar rreth 500 dëshmitarë.

Nga raporti i tij, gjatë hetimeve janë akuzuar zyrtarisht 34 persona, 25 qytetarë rusë, 12 agjentë të shërbimit të inteligjencës dhe 13 hakera të lidhur me Kremlinin, i cili nuk do të lejojë asnjëherë ekstradimin e  tyre. Pesë persona pranë Trump janë dënuar për çështje të tjera të lidhura: Paul Manafort, Majkëll Kohen, Majkëll Flinn, Rik Gejts e Xhorxh Papadopulos.

Një person i gjashtë, Roxher Stoun, mund të dënohet në një tjetër çështje për 30 mijë e-mailet e Hillary Clinton të marra nga komiteti elektoral demokrat.

Raporti Mueller është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë flitet për hetimet ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet amerikane të 2016-s, ku nuk u gjet asnjë provë të bashkëpunimit mes rusëve dhe stafit të Trump. Ndërsa Mueller pretendon se kanë qenë dy përpjekjet nga ana e Rusisë për të ndikuar në këto zgjedhje.

Përpjekja e parë përfshin Agjencinë ruse për Kërkime në Internet, e cila ka kryer operacione dezinformimi në rrjetet sociale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shkaktuar përçarje me qëllimin për të ndërhyrë në zgjedhje.

Ndërsa përpjekja e dytë është pikërisht vjedhja e e-maileve të Clinton, që sipas kryeprokurorit janë vepër e hakerave të lidhur me qeverinë ruse. Por pavarësisht akuzave në raport nuk ka prova të mjaftueshme për të lidhur këto veprime me fushatën elektorale të Trump.

Por është më pak i qartë shfajësimi për sa u përket pjesës së dytë të hetimeve për akuzat për pengim të drejtësisë nga ana e Trump në momentin që u bë president. Më saktësisht në raport shkruhet se nuk vërtetohet që presidenti ka kryer një krim, por në të njëjtën kohë nuk përjashtohet si mundësi.

Me topin në fushën e parlamentit tashmë demokratët do të përpiqen të kenë në duar raportin e plotë të Mueller, gjë të cilën Tramp nuk e kundërshton, të paktën jo me deklarata. “Russiagate” ka qenë makthi i presidencës Trump për 22 muaj.

Ndërkohë mediat amerikane dhe jo vetëm shkruajnë se Trump po shkon drejt një fitoreje bindëse në 2020-n. Titulli u publikua fillimisht nga një media që nuk pritej “Politiko.com”, uebsajti i Uashington me simpati të forta demokratike. Dhe argumentet që shoqërojnë këtë titull janë shumë teknike. Ekonomia amerikane aktualisht është shumë e fortë dhe sipas të gjitha precedentëve historike, presidenti në pushtet duhet t’ia dalë më së miri në marrjen e mandatit të dytë.

Në vitin 1946, Samner Uells, diplomat amerikan dhe një njeri i besuar i presidentit Ruzvelt, publikoi librin: Për ku jemi drejtuar. Titulli linte të kuptonte shumë qartë ndjesinë e pasigurisë për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rolin e superfuqisë amerikane në botë. Një klimë shqetësuese, e cila atëherë nuk linte askënd indiferent, brenda dhe jashtë institucioneve të Uashingtonit, për të arritur deri në zyrat e Shtëpisë së Bardhë.

Edhe sot, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e tejmbushur me dyshime, falë strategjisë, ndonjëherë shumë të nxituar dhe agresive të ndjekur nga presidenti Trump. Nga njëra anë, i është dhënë fund politikës së jashtme që një nga këshilltarët e Obamës e cilësonte si “të drejtosh nga prapa” , pra shtyrja graduale e proceseve të negociatave me hapjen ndaj dialogut duke i dhënë përparësi linjës së butë në krahasim me atë të ashpër. Nga ana tjetër po zhvillohet një linjë politike e ashpër që krijon paqartësi dhe mungesë besimi mes aleatëve në Europë dhe jo vetëm.

Pas paparashikueshmërisë së Trump dhe komunikimit të tij social, zë vend dhe indiferenca për autoritetet e organizatave ndërkombëtare si dhe një armiqësi e qartë ndaj rendit liberal. Një qasje politike që promovon objektivin “Amerika në vend të parë”, me çfarë do kushti. Ndërrimi i Sekretarit amerikan të Shtetit dy herë në më pak se dy vjet, tregon dhe më qartë pasigurinë që shoqëron politikën e jashtme amerikane.

Falë mbështetjes së mazhorancës republikane në të dyja dhomat e Kongresit, Trump nuk ka pasur asnjë pengesë domethënëse në menaxhimin e politikës së jashtme në dy vitet e para të mandatit të tij.

Zgjedhjet e mesit të mandatit të mbajtura në Nëntor të një viti më parë i lejuan demokratëve që të merrnin mazhorancën në Dhomën e Përfaqësuesve, por gjithsesi pa përmbysur ekuilibrat politikë në Senat, ku numri i republikanëve u rrit.

Ky rezultat i përgjysmuar, që nuk përfaqëson as fitoren e demokratëve, por as humbjen e republikanëve. Në fakt zvogëlon dhe më shumë rolin e legjislativit dhe i lë shumë hapësirë veprimi presidentit në sektorë strategjikë si ai i sigurisë dhe i mbrojtjes kombëtare, por dhe në politikat tregtare.

Mazhoranca demokratike në dhomën e përfaqësuesve nuk mund të bllokojë Trump në zgjedhjet e tij në politikën e jashtme. Në të vërtetë një nga objektivët kryesorë të politikës së jashtme të kësaj administrate gjen dakord dhe demokratët.

Për shembull, pavarësisht se demokratët shprehen të shqetësuar për marrëdhëniet gjithnjë e më të brishta mes Shtëpisë së Bardhë dhe Organizatës Botërore të Tregtisë, demokratët mbështesin linjën e fortë kundër konkurrencës së mallrave kineze, duke miratuar sanksione e tarifa.

Gjithashtu dhe pse kanë mbështetur Obamën në marrëveshjen për programin bërthamor, demokratët nuk bënë një rezistencë të mirëfilltë ndaj zgjedhjes së Trump për të dalë nga kjo marrëveshje, duke miratuar sanksione të reja ndaj Teheranit në vitin 2017. Nuk pritet as që demokratët të shqetësohen për tensionin me Kombet e Bashkuara meqenëse pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara në OKB nuk është ndër prioritetet e OKB-së.

“Nuk jemi më budallenj, dhe askush nuk na konsideron të tillë.” Me këto fjalë Donald Trump u shpjegonte një grupi ushtarësh amerikan në Irak se nuk mund të bëjnë luftërat e të tjerëve pa marrë asgjë në këmbim. Dhe për kreun e Shtëpisë së Bardhë këtu përfshihet dhe shpërblimi financiar.

Në fushatën e tij elektorale, Trump kritikonte përfshirjen ushtarake amerikane në vende të tjera duke u distancuar nga lufta në Irak dhe ajo në Afganistan për shkak të shpenzimeve marramendëse dhe rezultateve të dobëta që janë arritur.

Më pas vendimi për tërheqjen e trupave ushtarake nga Siria, menjëherë pas një bisede telefonike me presidentit turk Erdohan, shkaktoi dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes Xhim Matis.

I kundërshtuar dhe nga demokratë e republikanë në Kongres, Trump mori nga ana tjetër mbështetjen e presidentit rus Putin. Mungesa e dy mijë trupave ushtarakë në Siri favorizon Rusinë dhe aleatët në zonë si Turqia.

Mungesa e amerikanëve i jep letër të bardhë Erdoganit, por është një rrezik për kurdët dhe aleatët amerikanë që kanë luftuar ashpër ndaj ISIS. Një disavantazh dhe për aleatët e tjerë në lindjen e mesme si Izrael dhe Arabi saudite.

Një nacionalist i vërtetë si Trump nuk ka aleatë. Kjo vetmi në drejtim nuk mbështetet shumë nga administrata dhe dorëheqja mes polemikash e Ministrit të Mbrojtjes, Xhejms Matis, e konfirmoi një gjë  të tillë.

Vendimi për tërheqjen nga Siria dhe Afganistani nuk ishte diskutuar dhe as nuk i ishte komunikuar Matis. Duke përsëritur se Amerika është në vend të parë, kreu i Shtëpisë së bardhë Nuk ofron dialog për sa i përket politikës së jashtme.

Trump nuk i pëlqen marrëveshjet ndërkombëtare, aleancat strategjike, marrëveshjet dhe përpjekjet e përbashkëta të çfarëdo lloji sepse sipas tij kufizojnë apo kushtëzojnë ushtrimin e pushtetit amerikan.