Politika Dorëheqja e Alibeajt, reagon Gazment Bardhi: Kam thirrur në takim urgjent Jorida...

Dorëheqja e Alibeajt, reagon Gazment Bardhi: Kam thirrur në takim urgjent Jorida Tabakun

Pas dorëheqjes nga detyra të Enkelejd Alibeajt si kryetar i komanduar i PD-së, ka reaguar Gazment Bardhi në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Përmes një njoftimi zyrtar, Bardhi bën me dije se ka thirrur në një takim urgjent Jorida Tabakun, nënkryetaren e partisë.

“Pasi jam njohur me deklaratën e Nënkryetarit të Partisë z. Enkelejd Alibeaj, që ushtron përgjegjësinë e drejtuesit të Partisë, se heq dorë nga ushtrimi i kësaj përgjegjësie dhe nga detyra e Kryetarit të Grupit Parlamentar, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetaren e Partisë znj. Jorida Tabaku, për të vlerësuar mbi zbatimin e nenit 46 të Statutit, në këtë periudhë tranzitore. Sipas nenit 46 te Statutit në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri”, thuhet në njoftimin e Gazment Bardhit.

Enkelejd Alibeaj dha dorëheqjen si kryetar i komanduar i PD dhe si kreu i grupit parlamentar demokrat pas humbjes në zgjedhjet vendore të 14 Majit.