Aktualitet Drogë dhe klandestinë nga Shqipëria drejt Italisë, çmontohen dy banda shqiptare

Drogë dhe klandestinë nga Shqipëria drejt Italisë, çmontohen dy banda shqiptare

Policia italiane në bashkëpunim me atë londineze ka çmontuar dy organizata kriminale shqiptare, të lidhura me njëra-tjetrën. Njëra prej organizatave merrej me trafikimin e drogës nga Shqipëria drejt Romës, ndërsa tjetra me dërgimin e klandestinëve drejt Britanisë së Madhe.

Në total kanë nisur hetimet për 18 persona, ku 11 prej tyre janë në burg, 2 në arrest shtëpie dhe 5 i janë nënshtruar masës ‘detyrim paraqitje’.

Bashkëpunimi me policinë angleze

Të 18 të dyshuarit janë përgjegjës, në mënyra të ndryshme, për krimet e organizatave kriminale që synojnë lehtësimin e imigracionit të paligjshëm, trafikun ndërkombëtar të drogës, dhe armëmbajtjes pa leje. Falë edhe bashkëpunimit të policisë angleze, ishte e mundur të zbulohej teza hetimore e policisë italiane, e cila identifikoi një grua shqiptare që mbërriti në aeroportin e Londrës, me një kartë identiteti false. Gruaja ishte prezantuar si shtetase italiane dhe gjatë udhëtimit drejt Londrës, shoqërohej nga një anëtar i bandës.

Baza e organizatës kriminale ndodhej në Itali

Baza e organizatës ishte në Itali, midis komunave të Guidonia-s dhe Fonte Nuova-s, të menaxhuara nga shqiptarët të cilët – duke përfituar nga njohuritë e bashkatdhetarëve që kishin jetuar në Itali për vite me radhë, qarkullonin  në të gjithë krahinën duke kontaktuar me persona të ndryshëm për të lidhur marrëveshje në lidhje me furnizimin e drogës.

Droga arriti në Puglia dhe pastaj u transportua në Romë me makinë. Hetimet kanë bërë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm. Në tërësi, u konfiskuan mbi 150 kilogram marijuanë dhe dhjetëra doza të kokainë dhe heroinë. Këtë mëngjes karabinierët gjetën 4 kilogram marijuanë në shtëpinë e një prej të arrestuarve. Ai e kishte futur drogën në valixhen e vendosur pranë dritares së banesës. Në bagazhin e makinës, nga ana tjetër, kishte katër 100 gram hashash.

Ura për të mbërritur në Angli ilegalisht

Gjatë hetimit, megjithatë, ekzistonte edhe një organizatë  tjetër e lidhur me të parën, e formuar nga disa shqiptarë dhe një banor italian në provincën e Napolit. Organizata  dërgonte shqiptarë në Itali pa dokumente, të cilët pasi qëndronin aty për disa ditë, dërgoheshin në Angli me dokumente në emër të qytetarëve italianë. Në Angli, organizata u përfshi gjithashtu në gjetjen e strehimit për emigrantët ilegalë.