E ftuar në “Tonight Show” me Jimmy Fallon, Dua Lipa, foli për të kaluarën dhe fëmijërinë e kaluar në Londër, si fëmija e një familjeje me origjinë shqiptare.
“Emri im gjithmonë ka qenë i vështirë për t’u shqiptuar. Kur isha e vogël dhe jetoja në Londër, nuk e vlerësoja edhe aq shumë emrin tim. Duke qenë se Dua është emër shqiptar, ndjehesha që doja një emër normal (britanik), si Hannah, Sarah, Cloey”, tha Dua.
Ajo foli edhe për katër vitet e kaluara në Kosovë, mes moshës 11 dhe 15 vjeç, ndërsa kujtoi se koncerti i parë që kishte parë me prindërit atje ishte ai i reperëve amerikanë Redman dhe Method Man, nga Wu-Tang Clan, ndërsa i dyti ishte koncerti i 50 Cent.
“Nuk vinin shumë këngëtarë për të bërë koncerte në Kosovë. Për herë të parë kam ndjekur koncertin e Redman dhe Method Man, kur isha 13 vjeç”, tha ajo. “Në Kosovë njerëzit janë shumë të tërhequr pas muzikës hip hop dhe më pas ndoqa 50 Cent, ku shkova e përgatitur për këtë lloj muzike”.
Dua foli edhe për projektin e festivalit Sunny Hill, edicioni i parë i të cilit u mbajt në gusht dhe mes shumë të ftuarve ishte edhe Miley Cyrus: “Do të kisha dashur që, kur jetoja në Kosovë, të kisha pasur mundësinë të ndiqja disa nga artistet e mia të preferuara, si Pink apo Nelly Furtado dhe askush nuk vinte atje, kështu që vendosëm të nisnim një festival tonin, Sunny Hill”.