Aktualitet Dy javë në karantinë kush udhëton për në Gjermani, testin e COVID-19...

Dy javë në karantinë kush udhëton për në Gjermani, testin e COVID-19 mund ta kryeni falas

Të  gjithë personat që do të udhëtojnë nga Shqipëria për në Gjermani do të jenë të detyruar që të qëndrojnë dy javë në karantinë. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga ambasada gjermane në Tiranë, e cila thekson se, gjithashtu për të gjithë udhëtarët është i detyruar testi për COVID-19.

“Meqenëse Shqipëria vazhdon të konsiderohet një zonë rreziku nga Instituti Robert Koch, të gjithë ata që hyjnë në Gjermani janë të detyruar që menjëherë pas mbërritjes të nisen direkt drejt vendbanimit të tyre ose një strehimi tjetër të përshtatshëm (p.sh. hotel) dhe të qëndrojnë atje për një periudhë prej 14 ditësh pas hyrjes së tyre (karantinë)”, bëjnë të ditur autoritetet gjermane.

Sipas ambasadës gjermane në Tiranë, udhëtarët që hyjnë në Gjermani janë gjithashtu të detyruar të informojnë autoritetin shëndetësor përgjegjës për ta mbi adresën e tyre të qëndrimit në Gjermani. Ata janë gjithashtu të detyruar që me kërkesë të autoriteteve të paraqesin rezultatet e testimit për koronavirusin e ri.

Testin e COVID-19 ndryshe nga se veprohet me Greqinë, ku duhet paraqitur rezultatin pikën kufitare, në rastin e Gjermanisë testi mund të kryhet falas brenda 72 orëve nga mbërritja në territorin gjerman me anë të një kërkese që kryhet në aeroportet e ndryshme të Gjermanisë.