Kulturë Dy tregime të Faik Konicës për Skënderbeun

Dy tregime të Faik Konicës për Skënderbeun

Mrika

Sulltan Murati, me dyzet mijë këmbës e me gjashtëdhjetë mijë kalorës, ra përpara Krujës më 1448, edhe e bëri qark kryeqytetin. Skëndërbeu kish lëshuar në Krujë kontin e Urenës, i cili, me gjithë thesarët që i premtoi sulltan Murati, qëndroi kundrë me trimëri të madhe. Shqiptarët,sipër nga muret që rrethonin Krujën, rrëkëllenin mi krerët e turqve shpella, zjarr e vaj përvëlimtar. Nga tjatër anë, Skëndërbeu, me tetëmbëdhjetë mijë njerëz vetëm, derdhej përsëjashti me ushtrinë armiqeshë, e në luftëra të nxehta, priste turq me qindra, edhe hiqej duke rrëmbyer flamurë e plaçka. Një ditë, turqit ngrehin shkallë përmbi muret, që të binin me të pabesë në qytet; Skënderbeu, në ballë të shqipëtarëvet edhe me pallë në dorë, u lëshua kundrë armikut me një hov aq të tutshëm, sa turqit iknë e u përhapnë në të katër anët e fushës, shqiptarët, pastaj, hyjtin në qytet të Krujës. Po një frikë e madhe i drodhi të gjithë, kur panë se Skënderbeu s’ish midis tyre…

Nata po binte dalëngadalë, e, në fund të qiellit, porsi virgjineshatë bardha,yjtë ëndërronin me trishtim. Konti i Urenës, sa gatitej bashkë me parësinë për të dalë për të kërkuan Skëndërbenë, – Mrika, çupë gjashtëmbëdhjetë vjetsh, më e bukura, më e shkëlqyera, më trimëresha e Krujës, kish hipur një kali të zi, e hidhej përpara, te deti i natës.

Në mes të fushës u përpoq me një kalorës. Njeriu i Azisë hëngëlliti nga gazi, kur gjysmë pa – nëpër rrezat e yjve – leshrat e Mrikës, që derdheshin gjer në vithet e kalit:

Allahu më paska dërguar për sonte një jastëk të butë!

Dheu është jastëk më i butë! – tha Mrika, e, me një të hequr palle, i vërtiti kokën. Kali u ngul në errësirë, e trupi i ushtëtarit u plas mbi tokë. Mrika zbriti, e, duke thënë “Perëndia i ndjeftë!”, i lërojti me majë të pallës një kryqnë kraharuar, pastaj u vërvit prapë mi kalë e u sil përpara.

Ah, ç’ëndërr nën yjtë e qetë, kjo e vashës së bukur që vente mi një kalë të rreptë për të gjetur trimin!…

Me një hop, Mrika zhveshi pallën, se Skënderbenë të rrethuar prej një tubë turqsh-e pa që po luftonte.

Trimit i ish copëtuar palla mi krerët armiq, e, duke marrë pallën e Mrikës, i preu kundrëqëndrimtarët. Po një prej këtyreve, para rënë, kish mund të plagosë në kraharuar Mrikën.

Skënderbeu i hipi kalit edhe e mori trimoshin e Krujës në pëqi. Si dragua, kali fluturonte nëpër fushë. Kur ia qasnë mureve të qytetit, Mrika ish e vdekur, – por e bukur, e qetë, me një nënqeshje në buzë, si në gjumë, aq e lumtur kish qenë që vdiste pranë Skënderbeut!…

1898

Martesa e Skënderbeut

Viti 1450, plot me mundime, me luftëra e me gjakra u mbarua duke ndritur edhe më bukur emrin e Skënderbeut. U dëftua në atë vit, në faqe të gjithë dheut, se Skënderbeu qe më i madhi kapetan i kohës së tija.

Vitin 1451, Babai i Kombit e shkoi në qetim e në paqe; trimi i mjerë kish nevojë të mblidhte kockat e të çlodhej. Në atë vit goditnë dy punë të lumura: Skënderbeu u martua me zonjën Merine, të bijën e Arianitit, që ish kryezot i Kaninës, – në atë vit prapë, ngriti kështjellën e Modrises.

Dasma u bë më 26 të prillit 1451, – Skënderbeu ish 47 e zonja 23 vjetsh. Princë e zotërit fqinjë erdhnë më të shumët në dasmë, e, ata që ishin të penguar në dhe të tyre, dërguan zëvendës, – të gjithë me kanisqe të bukura. Veç nuk erdhën princët Dukagjinë, që ishin si pak më të ftohtë me Skënderbenë, edhe në vëllezërit e nuses, të cilët s’deshnë të venë në dasmë se ishin të zemëruar keq që i ati i kish dhënë pajë të tepërt se motrës tyre. “Hajde, djall Toske, hajde!Ku të lë felle Toska! E kush e mban Toskën kur zemërohet?…) Pa mbyllni pak sytë, e të veni me mend 450 vjet prapa, në Kaninë, në konak të zotit Arianit me bijtë e vet.

He, mor djelm, thotë luftëtari i ndritur, veshur me fustane e me xhokë, me silah, me kalca e me opinga; he, mor djelm, ç’keni ju! Edhe juve ju kam për të lënë begati. Çapni në dasmë, se është turp!

Jo, mor zot, jo, përgjigjen toskët e rinj, nuk vemi ne, na u mbush mendja!

Si u mbarua dasma, Skënderbeu vuri ndër mendt të niset me Princeshën, të shoqen e tija e të vejë ndëpër gjithë viset që ishin nën urdhër të tija. E ashtu, u nisnë, e kudo vanë qytete e kështjella, përpiqeshin kush e kush t’i presë më mirë e t’u japë më të bukura darovita.

1912