Sport Dy trofe në një sezon, Pirlo kërkon konfirmimin si trajner i Juves

Dy trofe në një sezon, Pirlo kërkon konfirmimin si trajner i Juves

Dy trofe në një sezon, nuk janë aspak keq për një trajner debutues, sidomos në një klub të madh. Por kur rezultatet janë më të dobëtat të 10 vjetëve të fundit, me një eliminimin që në 1/8 nga Champions dhe thuajse jashtë këtij kompeticioni për sezonin e ardhshëm, stoli i një trajneri do të ishte më shumë se i lëkundur.

Në një situatë të tillë ndodhet Andrea Pirlo me Juventusin e tij megjithatë shanset që tekniku italian të vazhdojë të mbetet në krye të Zonjës janë të larta.

“A do të rikonfirmoja veten? Sigurisht, për këtë jam këtu. Kam filluar trajnimin për këtë. Unë e dua futbollin dhe dua ta vazhdoj ta bëj. Klubi do të vendosë, por unë do të doja të vazhdoja. Unë e dua këtë punë dhe këtë klub. Qëllimi im është të vazhdoj. Është më vështirë të shohësh lojën nga stoli sesa në fushë, përpiqesh të telefonosh por ndonjëherë nuk dëgjojnë”, tha Pirlo pas fitores së Kupës së Italisë ndaj Atalantës.

Superkupa dhe Kupa e Italisë ngrohin, por jo dhe aq drejtuesit bardhezinj të cilët janë gati të marrin përsipër rrezikun e vazhdimit të bashkëpunimit me Pirlon edhe për faktin se në këtë moment mungojnë alternativat cilësore për stolin.

Nëse Masimiliano Alegri do të kishte dhënë miratimin për t’u rikthyer atëherë çdo gjë do të ishte e mbyllur. Por livoriani tundohet nga mundësia e drejtimit të Realit të Madridit në rast largimi të Zidane, që është përfolur gjithashtu për drejtimin e Juventusit.

Ka edhe emra të tjerë me profil më të ulët për Zonjën si Gennaro Gatuso, Simone Inzaghi apo Sinisha Mihajlovic.

Megjithatë fundjava do të jetë përcaktuese për të ardhmen e Andrea Pirlos. Kualifikimi në Champions do t’i mundësonte sipas të gjitha gjasave rinovimin ish-yllit të mesfushës megjithatë diçka e tillë nuk varet nga ai, edhe nëse Juventus bën detyrën dhe fiton përballë Bolonjës.