Aktualitet “E vrau Ibrahim Lici, Endri iu lut për mëshirë, por ‘i tha...

“E vrau Ibrahim Lici, Endri iu lut për mëshirë, por ‘i tha qofsh i xhenetit’…”

Dy të rinjtë e ndaluar si të dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës kanë dalë para togave të zeza në gjykatën e Shkodrës. Por ndonëse për të miturin, 15-vjeçarin me inicialet E.M, akuza ka qenë për vrasje kryer në bashkëpunim, për 26-vjeçarin Edison Arrazi, grupi hetimor ka ndryshuar akuzë. Në seancën e drejtuar nga gjyqtari Andri Ymeri dhe prokuror Gëzim Spahiu, i dyshuari nuk u pyet për vrasjen, por vetëm për sasinë e drogës të gjetur në magazinë.

Dëshmia

I mituri 15-vjeçar E.M, i cili ka deklaruar edhe kronologjinë e ngjarjes, duke pranuar para togave të zeza se vrasjen e Endri Mustafës e ka kryer Ibrahim Lici, i cili vazhdon të jetë akoma në kërkim nga polica.

“Më 15 maj gjatë drekës çova në banesën e tij një qengj të blerë në Postribë pasi ma kishte kërkuar Endri, i cili fillimisht më dha 40 mijë lekë të vjetra dhe më pas, nga ora 19:00 edhe 70 mijë të tjera. Atë ditë biseduam për punë hashashi, pasi i kisha thënë Endrit se kisha mbjellë rreth 150 rrënjë hashash 3-mujorsh në Livadhe me dy shokë dhe doja t’i merrja. Endri më tha se do më ndihmonte ai që ta merrnim e ta çonim tek shtëpia ime për ta tharë. Pas kësaj bisede ne u nisëm nga banesa jonë rreth orës 21:30 ose 22:00. Unë i çova në Instagram një foto kali, si kod që Endri të dilte jashtë për t’u nisur për në Livadhe.

Pasi u takuam pas banesës së Endrit, u nisëm më këmbë drejt Livadheve, duke kaluar rrugën e Bypass-it dhe pasi shkuam diku afër livadhit të Endri Mustafës, u kthyem djathtas për të dalë në një vend tjetër të quajtur ‘Gropat e ekskavatorit’, ku kisha mbjellë hashashin. Aty na doli para Ibrahim Lici me armë në dorë dhe qëlloi direkt mbi Endrin, i cili u shtri në tokë dhe i tha ‘aman mos më vrit pash Zotin se kam fëmijë’. Ai e qëlloi përsëri, madje edhe në fytyrë, duke i thënë ‘qofsh i xhenetit’. Pas kësaj Ibrahim Lici u largua me motor nga vendi i ngjarjes, unë ika me vrap për në shtëpi andej nga erdhëm”, rrëfeu i mituri.

Në përfundim të seancës, trupi gjykues vendosi si masë sigurie ‘arrest me burg’ edhe për 15-vjeçarin me inicialet E.M.