Sport Dy vjet pa Ronaldon, Real Madridi nuk është më i njëjti

Dy vjet pa Ronaldon, Real Madridi nuk është më i njëjti

Para se pandemia t’i zbrazte shkallët dhe t’i linte stadiumet pa jehonën e tyre, ishte e zakonshme të gjeje dhjetëra tifozë të bardhë në “Bernabéu”, të cilët brohorisnin për Real Madridin me fanellën nr.7 veshur, me emrin e Ronaldos në shpinë. Vetëm sot, dy vite pas ndeshjes së tij të fundit nën drejtimin e Zidane, duhet të mbahet mend se portugezi nuk mund të harrohet në kryeqytetin spanjoll për shkak të asaj që bëri në nëntë sezonet e tij atje: 450 gola të shënuar, 4 Champions, 2 La Liga, 3 Botërorë Klubesh, 2 Superkupa Europe, 2 Kupa Mbreti të fituara…

E gjitha përfundoi pikërisht më 26 maj, si sot dy vite më parë në Kiev. Aty luhej finalja e Ligës së Kampionëve kundër Liverpool. Vendimi ishte marrë nga ylli portugez, nuk kishte kthim mbrapa. Presidenti Perez tashmë po bënte plane për projektin e ri, pa praninë e tij. Zidane ishte në mëdyshje të vazhdonte apo jo në stolin e bardhë, teksa e dinte se “vrasësi” i tij do të largohej drejt Torinos. Tifozët nuk ishin aq të qartë për këtë. Madje, kjo është arsyeja pse festa e kampionëve në Kiev mbeti në hije, kur CR7 lëshoi ​​këtë frazë: “Ishte shumë bukur të luaja në Madrid. Tani është koha për të shijuar…”

Kjo ra si një bombë për popullin e bardhë. Të gjithë ngrinin të shqetësuar një pyetje: “A është e vërtetë që Cristiano po largohet nga Real Madridi? Të nesërmen, në festën e “Bernabéu” për Champions-in e 13-të, Cristiano, i ngazëllyer, u tha këtë gjë fansave: “Ishte krenari të luaja në klubin më të madh në botë”. Papritur, të gjithë kolegët e tij filluan të bërtasin, nën koret e publikut: “Cristiano, rri!” Megjithatë, “divorci” ishte vendosur. Çarja midis lojtarit dhe presidentit ishte evidente. Sigurisht, koha i mbyll plagët dhe tani marrëdhëniet janë përsëri të përzemërta e të shëndetshme. Në “El Clásico” e fundit ai udhëtoi nga Torino dhe e pa atë ndeshje në stadiumin “Bernabeu”.

Ajo që bie në sy është se të dyja palët humbën në këtë divorc, të cilin tifozët e bardhë e kanë vuajtur kaq shumë. Portugezi nuk e fitoi më Ligën e Kampionëve dhe nuk arriti as në finale me Juventusin, megjithëse shkëlqeu me një “hat-trick” ndaj Atletico Madridit, duke festuar si dikur me “Los Blancos”. Ai nuk e fitoi më “Topin e Artë” (më 2018 triumfoi Modric, ndërsa më 2019 Messi). Në aspektin sportiv, Real Madridi humbi shumë nga ky largim. Të bardhët dështuan në fazat e “nokaut” të Ligës së Kampionëve, humbi La Liga-n që në mars dhe fitoi vetëm Botërorin e Klubeve në sezonin e kaluar.

Këtë edicion ka fituar vetëm Superkupën e Spanjës në Arabi… Në mesataren e pikëve është goxha më poshtë se me yllin portugez në sulm. Në periudhën e CR7 (2009-2018), galaktikët fitonin mesatarisht 2,66 pikë për ndeshje. Sezonin e kaluar ra në mesataren 1.77 pikë, ndërsa Benzema shënoi 30 gola. Por, me francezin dhe pa pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, Real Madridi nuk është më i njëjti…