Sport Dybala tregon të vërtetat e Botërorit 2018: Sampaoli as nuk më fliste

Dybala tregon të vërtetat e Botërorit 2018: Sampaoli as nuk më fliste

Paulo Dybala e sheh veten të frymëzuar në prag të sezonit të ri, mes klubit dhe ekipit kombëtar. Vijimësia te Juventusi do të varet shumë nga lidhja që do të krijojë me trajnerin e ri, Maurizio Sarri. Muzika për të tek Argjentina ka ndryshuar. “La Joya” e ka ridimensionuar veten me fanellën bardhekaltër, pas Botërorit të Rusisë për t’u harruar.

Një vit pas zhgënjimit në Kupën e Botës, Dybala tregon se çfarë lloj marrëdhënieje profesionale kishte midis tij dhe Jorge Sampaolit. Dybala luajti vetëm 20 minuta në Botërorin e vitit të kaluar, në ndeshjen e dytë të fazës në grupe, kur të tijtë humbën 3-1 ndaj Kroacisë finaliste. Në tri ndeshjet e tjera të Kupës së Botës (Argjentina u eliminua nga Franca), Dybala nuk e pa veten në fushë.

Në fakt, nuk kishte asnjë lidhje mes lojtarit dhe ish-trajnerit Sampaoli: “Kam biseduar me të, kur erdhi në Torino para Kupës së Botës. Në Rusi nuk kishte asnjë komunikim mes tij dhe meje. Trajneri kurrë nuk bisedoi me mua, kurrë nuk më tha asgjë. Unë nuk flas më me të”.

Dybala, gjithashtu, ngre dyshime në lidhje me profesionalizmin e ish-trajnerit të Argjentinës. Duke folur për “Fox Sports”, shtoi: “Sampaoli as nuk më përshëndeti. Është e rrallë që trajneri kurrë nuk e përshëndet një lojtar, edhe për ta pyetur se si është. Nuk më kishte ndodhur kurrë më parë…”

Më pastaj, eksperienca e Dybala me Argjentinën është tjetër gjë, pas arritjes së trajnerit Lionel Scaloni: “Ne folëm para “Copa América”. Trajneri më tha se donte që unë të luaja si “9”. Në këtë pozicion më përdori para turneut dhe gjatë kompeticionit në Brazil“. Pra, Dybala dhe Scaloni janë shumë afër njëri-tjetrit, njerëzisht e profesionalisht. Dhe mbi të gjitha, flasin shumë… në fytyrën e Sampaolit!