Kryesore Edi Rama: Pse dua 800 mijë vota për mandatin e tretë

Edi Rama: Pse dua 800 mijë vota për mandatin e tretë

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste, vendosi objektivin për Partinë Socialiste, duke thënë se detyra kryesore është që të marrë “800 000 vota për mandatin e tretë”.

“Për ta bërë këtë, duhet pranuar dhe kuptuar që duhet edhe më shumë energji. Me dy mandatet që kemi marrë në 2013 dhe 2017, kemi bërë më shumë reforma shtetbërëse sesa të gjitha qeveritë e këtyre 30 viteve. Detyra jonë është ta mbyllim këtë mandat me bilanc kuptimplotë, por edhe me plan kuptimplotë reformash për mandatin e tretë. Mandati i tretë na duhet për të vendosur përfundimisht Shqipërinë në një nivel tjetër si shtet dhe ekonomi”, theksoi kreu i qeverisë dhe kreu i PS-së.

Rama nënvizoi gjithashtu se pavarësisht se kur do të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, qeveria do të punojë njësoj sikur të ishin hapur.

“Evropa ka qenë dhe mbetet burimi i frymëzimit tonë politik dhe kryeqëllimi ynë strategjik. Detyra jonë është ta bëjmë Evropën këtu, duke bërë detyrat e shtëpisë. Procesi i integrimit na jep mundësinë të ecim më shpejt përmes instrumentave që na ofron. T’i hapin kur të duan, kur të kenë nge do të na i hapin, por mjaft më duke përgatitur dasma kur krushqit nuk paraqiten në ditën e dasmës. Pavarësisht kësaj, ne kemi punuar njësoj sikur të ishin hapur negociatat, për shqiptarët dhe për fëmijët tanë”, u shpreh Rama.