Bota Egjipti lëshon anijen “peng”, japonezët do të paguajnë 550 milionë dollarë

Egjipti lëshon anijen “peng”, japonezët do të paguajnë 550 milionë dollarë

Autoritetet e Kanalit të Suezit në Egjipt kanë njoftuar këtë të diel se kanë arritur një marrëveshje me kompaninë japoneze që ka në pronësi anijen gjigante të mallrave Ever Given, e cila bllokoi për 6 ditë kanalin në mars dhe është mbajtur “peng” që nga ajo kohë.

Në reagimin e autoriteteve egjiptiane theksohet se kompania japoneze ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej 550 milionë dollarë dhe të mërkurën mund të marrë kontrollin e Ever Given, e cila do të kthehet në lundrimin. Pas ngjarjes ku u bllokuan 422 anije për 6 ditë, Egjipti kërkoi 1 miliard dollar dëmshpërblim, ndërsa tashmë marrëveshja është arritur për gjysmën e kësaj shume.

Egjipti kërkoi kompensim për kostot e operacionit të shpëtimit, por edhe për pasojat e bllokimit të kanalit nga kompania japoneze që ka në pronësi anijen, por këta të fundit reaguan në atë kohë duke thënë se aksidenti nuk ka ndodhur për fajin e tyre.

Kanali i Suezit është një nga rrugët ujore më të ngarkuara të transportit detar në botë, pasi është distanca më e shkurtër për kalimin e anijeve nga Oqeani Indian në Atlantik.