Politika Ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali, Basha: Një akt heroizmi

Ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali, Basha: Një akt heroizmi

Kryetari i Partisë Demokratikë Lulzim Basha e quan akt heroizmi nismën e ekipit të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë për të shërbyer në luftën kundër Covid-19 në Italinë e veriut. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, lideri i opozitës tha: “E kam përshëndetur dhe pa diskutim që është një akt heroizmi i atyre mjekëve që shërbejnë në kushte aq të vështira. Dua t’i falenderoj nga zemra, t’i uroj një punë sa më të lehtë në kushtet shumë të vështira ku ndodhen”.

Kryedemokrati falenderoi gjithashtu edhe mjekët apo infermierët shqiptarë që prej vitesh punojnë nëpër Europë.

“Falenderoj po kështu qindra e mijëra mjekë dhe infermierë shqiptar që punojnë në Itali prej vitesh. Në veçanti dy tre vitet e fundit kemi patur një fluks shumë të madh për fat të keq largimi edhe të personelit shëndetësor drejt Evropës, drejt Gjermanisë dhe drejt Italisë dhe t’i uroj nga zemra që në radhë të parë të jenë mirë me shëndet dhe ta kalojmë sa më lehtë ata dhe familjet e tyre.” – tha Basha në Përballë.

Riatdhesimi i shqiptarëve, Basha: Veprim i kufizuar dhe i pamjaftueshëm, qeveria të mos kursehet

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i kërkon qeverisë të kthejë të gjithë shqiptarët që kanë mbëtur jashtë kufijve për shkak të masave kufizuese nga Covid-19. I ftuar në emisionin Përballë të gazetarit Lutfi Dervishi, kreydemokrati Basha thotë se kthimi i kufizuar është i pamjaftueshëm dhe qeveria të ndjek shembullin e vendeve të tjera.

“Më shumë rëndësi se fjalët kanë veprat. Prandaj kemi kërkuar prej dy javësh që qeveria shqiptare të bëj të njëjtën gjë që po bëjnë dhe qeveritë e vendeve të tjera si Maqedonia, si Kosova të marrin masa për riatdhesimin e plot të tyre. Brenda 10 ditëve kanë nisur një veprim, por i kufizuar dhe i pamjaftueshëm. Nuk do të kursehet asnje përpjekje që të gjithë ata që kanë mbetur jashtë të kthehen” – tha Basha.

Basha thotë se ka marrë shumë mesazhe nga shqiptarë që kërkojnë të kthehen.

“Mund t’iu them, mund të ndaj me ju që vetëm 48 orët e fundit kam vetëm në inboxin e facebookut tim të evidentuar nga stafi që administron kam 65 kërkesa, ankesa konkrete që kërkojnë ndihmë për tu kthyer në vend. Jo ndihmë ekonomike, por që shteti ti verë në dispozicion mjetet e fluturimeve. Nuk duhet kursyer asnjë përpjekje për ti kthyer shqiptarët që kanë mbetur jashtë.”