Aktualitet Ekzekutohet 32-vjeçari në Peqin, vëllai i viktimës ndodhet në burg për vrasje

Ekzekutohet 32-vjeçari në Peqin, vëllai i viktimës ndodhet në burg për vrasje

Një vrasje ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Gjoçaj të Peqinit, ku ka humbur jetën një 32-vjeçar. Ngjarja është shënuar rreth orës 08:39, ndërsa viktima është Albi Bashaliu, njofton policia.

Uniformat blu kanë shkuar në vendngjarje së bashku me grupin hetimor. Shkaqet dhe rrethanat janë të paqarta. Autori/ët e krimit nuk dihen. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e çdo prove të mundshme materiale që shërben për identifikimin e autorëve.

Viktima Albi Bashaliu ka qenë i arrestuar në vitin 2017 për një ngjarje të ndodhur në fshatin Gjocaj, kur gjatë një konflikti qëlloi me automatik në drejtim të dy personave V.Sh. 57 vjeç dhe A.B. 38 vjeç. Nga të shtënat me armë për fat të mirë nuk u lëndua asnjë person.

Ndërkohë, mësohet se vëllai i viktimës, Leonard Bashaliu, ndodhet në burg i dënuar për vrasjen e Ylber Xhahysës, ngjarje e ndodhur në muajin Qershor 2021.

Më 8 Qershor 2021, Leonard Bashaliu 36 vjeç (vëllai i Albi Bashaliut) vrau me armë 44-vjeçarin Ylber Xhahysa. Leonard Bashaliu u arrestua menjëherë pas krimit dhe pranoi autorësinë. Ai u tha hetuesve se krimi kishte ndodhur për një ngjarje të para 5 viteve, kur sipas pretendimit të tij, Ylber Xhahysa e kishte goditur me grusht.