Bota Ka revoltë në Shtëpinë e Bardhë, dhe frustrimi vjen nga zëvendëspresidentja

Ka revoltë në Shtëpinë e Bardhë, dhe frustrimi vjen nga zëvendëspresidentja

Administrata e drejtuar nga Joe Biden nuk ka ende një vit, por në Shtëpinë e Bardhë kanë pakënaqësitë, fillimisht si thashetheme dhe tashmë pothuajse haptazi. Ato vijnë jo nga një zyrtar i thjeshtë, por nga gjysma femërore e dyshes që fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kamala Harris ndihet e frustruar, pothuajse e përdorur, nga presidenti 79-vjeçar. Ky është portreti që del nga një artikull i mirë informuar i gazetës prestigjioze “New York Times”, që citon raste të ndryshme ku ish-prokurorja ka patur role pothuajse simbolike në takimet politike më të  rëndësishme.

Ndërkohë, sipas burimeve, ajo ndihet edhe e stresuar nga fakti që i janë dhënë nga Biden disa nga temat më delikate dhe ku kritika është më e fortë, si emigracioni dhe e drejta e votës, duke e ekspozuar atë në një dritë aspak të mirë, që mund të vej në rrezik objektivin e saj madhor, synimi i presidencës në zgjedhjet e vitit 2024.

Pikërisht në këtë pikë, Harris ka rrëfyer rrethit të saj të ngushtë që ka frikë se Biden po e djeg kandidaturën e saj, dhe se presidenti ka në të vërtetë një tjetër kandidaturë në mendje.

Një nga mbështetëset e saj më të mëdha është ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, dy herë kandidate për presidente në 2008 dhe 2016, të dy të humbura.

“Ka një standard të dyfishtë me të cilin gjykohet Kamala, ashtu siç ishte edhe për mua”, mësohet se ka deklaruar Clinton.

E para femër dhe me ngjyrë që shërben si zv/presidente e Shteteve të Bashkuara, Kamala është bijë e dy prindërve emigrantë, e ëma me origjinë indiane, Shyamala Gopalan, biologe dhe kërkuese shkencore kundër kancerit të gjirit, dhe i ati Donald J. Harris një xhamajkan, profesor ekonomie pranë universitetit të Oxford.

Gjatë karrierës së saj në sistemin e drejtësisë Kamala njihej si një nga prokurorët më të ashpër ndërsa angazhohej në rastet e luftës ndaj bandave kriminale, trafikut të drogës apo dhunës seksuale.