Aktualitet “Elbasani nuk mund të jetë model siçilian”, Lleshaj reagon pas deklaratës së...

“Elbasani nuk mund të jetë model siçilian”, Lleshaj reagon pas deklaratës së kryeprokurorit

Pak ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela tha se Elbasani dhe Shqipëria nuk mund të kthehen në një model sicilian.

I pyetur për këtë, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha se situata kriminale në Elbasan është nën kontroll dhe vlerësimin mund ta bëjnë vetëm qytetarët.

“Situata e kriminalitetit në Elbasan është në nivele të shpjegueshme. Kriminaliteti gjen hapësira dhe penetron në disa qytete të caktuara. Elbasani ka trashëguar një situatë kriminaliteti por jo endemike. Situata e krimit është në rënie.

Mos prisni të komentoj Prokurorin e Përgjithshëm. Deklarata e tij e fortë është. Unë dhe prokurori e shohim situatën nga këndvështrime të ndryshme. Ne kemi bashkëpunim.

Nëse është Siçili nuk ka nevojë të pyesni as mua dhe as prokurorin, por të pyesnin qytetarët. Është një përkufizim i thjeshtë; siguria është mungesa e frikës. Po ka frikë, nuk ka siguri. Në Elbasan, shkoni tani në mes të natës.

Nuk është ajo Siçilia. Shumë dosjeve po u hiqet ndryshku. Vetëm sot u zbardh një ngjarje e rëndë. Besoj, me këtë mënyrë se si po angazhohet policia, ne do të kemi lajme të mira nga Elbasani në kuptimin e goditjes”, tha Lleshaj në emisionin “Java” në RTSH.

A kontrollohet qyteti i Elbasanit nga bandat? Ministri i Brendshëm tha prerë: “Jo”.

Ministri u pyet edhe për shkarkimin nga detyra të zv/drejtorit të OFL-së, Artan Shkëmbi, një person me karrierë 30 vjeçare në Policinë e Shtetit, i akuzuar nga autoritetet gjermane për dekonspirim të operacioneve.

“Nuk e komprementon. Ai nuk ishte drejtues i OFL-së. Zotëria që ju i referoheni nuk ka qenë drejtues, por një nga drejtuesit. Ishte një oficer i lartë i cili është nën dyshim. Lajmi i keq është që kemi një dyshim të arsyeshëm për një oficer të lartë të policisë që ka bërë gjëra që nuk duhet të bënte. Të huajt kishin një shqetësim që i ka ndodhur një fenomen X. Në kohë rekord, Policia e Shtetit e lidhi me emrin”.